Polonia ndalon hyrjen për ministrin rus Sergei Lavrov, reagon Moska: Provokim!

Rusia e ka quajtur një vendim “provokues ” të Varshavës, pasi Polonia refuzoi të lejojë ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov të hyjë në territorin e saj për një takim të ministrave të jashtëm të OSBE-së.

“Vendimi i Polonisë është provokues dhe i paprecedentë. Varshava jo vetëm që u diskreditua në këtë mënyrë, por gjithashtu i shkaktoi një goditje të pariparueshme prestigjit të të gjithë Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

Polonia, e cila po organizon takimin ministror të OSBE-së në fillim të dhjetorit, njoftoi dje se i mohoi  Lavrov hyrjen në territorin e saj.

“Ne presim që Federata Ruse të zgjedhë anëtarët e delegacionit të saj në përputhje me rregullat aktuale,” tha një burim nga presidenca e rradhës e organizatës, e mbajtur nga Varshava këtë vit.

Sipas këtij burimi, delegacioni rus nuk duhet të “përfshijë individë që janë sanksionuar nga Bashkimi Evropian” pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt , përfshirë Lavrov.

“Ne jemi të sigurt se të gjithë politikanët e arsyeshëm ndajnë pikëpamjen e palës ruse se veprime të tilla janë të papranueshme,” tha diplomacia ruse.

“Këto vendime të dëmshme të polakëve po e shtyjnë OSBE-në në humnerë,” tha ai, duke akuzuar OSBE-në se është kthyer në një “fushë” për “stërvitje anti-ruse”.

Takimi i 57 ministrave të jashtëm të OSBE-së do të mbahet më 1 dhe 2 dhjetor në Łódź, një qytet në Poloninë qendrore.

Delegacioni rus do të udhëhiqet nga ambasadori rus në OSBE, Aleksandër Lukasheviç , sipas Moskës, citon Protothema.

Kategoritë
BotaLajme