Popullatës i kanoset krizë: Ushtria izraelite ndërpreu 70 për qind të furnizimit me ujë në Gazë

Ushtria izraelite ndaloi të shtunën furnizimin me ujë nga kompania izraelite Mekorot për Rripin e Gazës, duke ndërprerë praktikisht 70 për qind të gjithë furnizimit me ujë të enklavës.

Siç deklaroi zëdhënësi i Komunës së Gazës, Hosni Mehanna, ndërprerja prek tubacionin kryesor që ndodhet në lagjen Shujaiya në lindje të qytetit të Gazës, ku forcat izraelite po zhvillojnë një operacion ushtarak që nga e enjtja.

“Arsyet e ndërprerjes mbeten të paqarta, por jemi duke koordinuar me organizatat ndërkombëtare për të verifikuar nëse tubacioni është dëmtuar për shkak të bombardimeve të rënda izraelite në atë zonë,” tha Mehanna.

Ai shtoi se ndërprerja mund të jetë shkaktuar nga aktivitetet direkte ushtarake ose mund të jetë pasojë e një vendimi të qëllimshëm politik nga autoritetet izraelite.

“Pavarësisht nga shkaku, pasojat janë të tmerrshme. Nëse rrjedha e ujit nga Mekorot nuk rikthehet shpejt, Gaza do të përballet me një krizë të plotë të ujit,” paralajmëroi Mehanna.

Rripi i Gazës, i cili tashmë vuan nga mungesa e ujit të pijshëm për shkak të viteve të bllokadës, kolapsit të infrastrukturës dhe ndotjes së ujërave nëntokësore, tani përballet me rrezikun e dehidratimit të përhapur, ndërsa kushtet humanitare në enklavë vazhdojnë të përkeqësohen.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 ka kaluar shifrën prej 50.000 personash.

Kategoritë
BotaLajme