Portugali, jep dorëheqje ministrja e Shëndetësisë në kulmin e krizës të sistemit shëndetësor

Dorëheqja e ministres Marta Temido është pranuar, kurse opozita bënë thirrje për ndryshime radikale të politikës shëndetësore të qeverisë në Portugali

Ministrja portugeze e Shëndetësisë, Marta Temido dha dorëheqjen mes një numri skandalesh lidhur me mungesën e personelit shëndetësor dhe spitalet e mbipopulluara, raporton Anadolu Agency (AA).

Temido është në krye të Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2018, ndërkaq në deklaratën e dorëheqjes nuk ka specifikuar pse e ka dhënë dorëheqje, por ka thënë vetëm se nuk ka më kushte për të qenë në detyrë.

Kryeministri portugez, Antonio Costa, pranoi dorëheqjen dhe falënderoi Temido-n për punën e saj gjatë pandemisë COVID-19.

Opozita konsideron se dorëheqja e saj ka ardhur shumë vonë, por se tani është e rëndësishme që të bëhet një ndryshim rrënjësor në politikën shëndetësore të qeverisë.

Mediat lokale raportuan dje se një grua shtatzënë ka ndërruar jetë pas sulmit kardiak teksa po transferohej nga spitali më i madh i Lisbonës për shkak se materniteti ishte plot. Pas një ndërhyrjeje urgjente me prerje cezariane, foshnja mbijetoi.

Në qershor ndodhi një skandal i ngjashëm kur një foshnjë vdiq në një spital ku shërbimi i urgjencës u mbyll për shkak të mungesës së stafit.

Në gusht, organi i licencimit mjekësor të Portugalisë OM theksoi se Portugalia ka shkallën më të lartë të vdekjeve në Bashkimin Evropian, kurse për problemet fajësoi sistemin e rrënuar shëndetësor.

“Kishte shumë pacientë që nuk mund të diagnostikoheshin gjatë pandemisë dhe që ende nuk kanë marrë ndihmë mjekësore”, tha kreu i OM, Miguel Guimaraes.

Mjekët portugezë kërkojnë gjithashtu kushte më të mira pune.

Kategoritë
BotaLajme