Shoqata Federale për Cilësinë dhe Riparimin e Strukturave të Betonit ka konstatuar se shumë ura në autostradat gjermane janë në gjendje të dyshimtë.
Sipas të dhënave të autoriteteve, në këtë vend ka gjithsej 40,000 autostrada dhe ura. Nga analiza e ekspertëve të ndërtimit të shoqatës së përmendur është konstatuar se 3,786 ura në autostrada, secila më e gjatë se 50 metra, kanë marrë vlerësimet më të këqija të gjendjes. Kjo është konstatuar bazuar në të dhënat e Institutit Federal për Kërkime të Autostradave, dhe do të thotë se stabiliteti i këtyre urave dhe siguria e trafikut janë të rrezikuara.
Ndër 100 urat me vlerësimet më të këqija janë shumica e atyre që ndodhen në landet federale të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Hesenit, Bavarisë dhe Baden-Vyrtembergut. Në këto lande, së bashku me Saksoninë e Ulët, gjendet numri më i madh i urave në autostrada. Është konstatuar se urat kanë dëmtime akute dhe shenja të konsumimit.
Presidenti i Shoqatës Federale për Cilësinë dhe Riparimin e Strukturave të Betonit, Marco Goetze, ka bërë thirrje autoriteteve që të veprojnë menjëherë dhe ka paralajmëruar se aksidenti i ardhshëm mund të jetë më i rëndë se ai që ndodhi si pasojë e shembjes së fundit të urës së Karoilit në Dresden.
Në Gjermani, 55 për qind e urave janë ndërtuar para vitit 1985, ndërsa jetëgjatësia mesatare e urave është 70 vjet. Shumë prej tyre kanë kaluar afatin e shfrytëzimit dhe duhet të rindërtohen. Një problem shtesë është rritja e jashtëzakonshme e trafikut të mallrave.
Në fakt, sipas vlerësimit të institucionit për planifikimin, ndërtimin, financimin dhe menaxhimin e autostradave, Autobahn GmbH, një kamion shkakton konsumim në rrugë sa një mijë makina, veçanërisht në rastin e urave.
Ekspertët e ndërtimit konsiderojnë se investimet e pamjaftueshme dhe rritja e ngarkesës kanë çuar në përkeqësimin e ndjeshëm të gjendjes së urave.
Ministri i Transportit të Gjermanisë, Volker Wissing, në vitin 2022 paraqiti një paketë masash për modernizimin e urave, e cila përfshin rindërtimin e 400 urave në vit. Në total, është e nevojshme të rindërtohen 4,000 ura, shkruan portali tagesschau.