Dy ushtarë izraelitë që kanë luftuar në territorin palestinez kanë vendosur të largohen nga ushtria izraelite për shkak të krimeve të kryera në Gaza, veçanërisht ndaj fëmijëve. Pas largimit nga ushtria, ata kanë rrëfyer dëshmi tronditëse. Rrëfimet janë publikuar në gazetën arabe Rai al-Youm në botimin e së dielës.
Ushtarët, me emrat Max Frisch dhe Michael Ofer Ziv, iu bashkuan ushtrisë izraelite pas fillimit të luftës në Gaza më 7 tetor 2023, por disa muaj më vonë vendosën të largoheshin nga ushtria për shkak të asaj që e përshkruan si “hakmarrje të pastër” në Gaza, dhe jo si një “luftë ekzistenciale” siç pretendojnë zyrtarët izraelitë, raporton gazeta londineze.
“Më është thënë se vrasja e fëmijëve është një detyrë fetare sepse, kur të rriten, do të bëhen terroristë,” tha Frisch, duke shtuar se gjithmonë kishte dëshiruar t’i shërbente Izraelit, por vendosi të tërhiqej nga ushtria pasi kuptoi se qeveria aktuale nuk po i përmbush detyrimet e saj.
Ushtari tjetër, Michael, foli për qasjen raciste dhe diskriminuese ndaj palestinezëve.
“Pas 7 tetorit, shumë izraelitë besojnë se palestinezët nuk janë më qenie njerëzore,” tha ai, duke shtuar se kjo mënyrë e të menduarit i largon oficerët nga ndëshkimi i ushtarëve të tyre, veçanërisht kur ata plaçkisin ose shkatërrojnë pronën palestineze.
Duke iu referuar gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, Rai al-Youm përmendi rastin e një piloti izraelit që kreu vetëvrasje për shkak të tronditjeve psikologjike të shkaktuara nga lufta në Gaza.
Piloti, me emrin Asaf Dagan, i dha fund jetës së tij pas 20 viteve shërbimi në ushtrinë izraelite, sipas fjalëve të nënës së tij.
Rai al-Youm në raportin e saj thekson se shumë ushtarë izraelitë i janë drejtuar mediave jashtë territoreve të okupuara për të zbuluar të vërtetën për shkak të censurës nga regjimi ushtarak, i cili përpiqet të justifikojë vrasjen e civilëve në Gaza.