Prapaskenat e “Sunny Hill”, si ndërhyri fondacioni i Dua Lipës në e-mail zyrtar dhe e vërteta e pronës së kërkuar

PanoramaPlus.al/ Festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Tiranë në gusht. Është ky lajmi i mirë për kryeqytetin tonë, por që “përkthehet” në një lajm të keq për Kosovës. Shumë pikëpyetje, deklarata, citime, fakte të reja kanë dalë në pah nga ajo që duket më shumë sesa një zhvendosje kulturore.

Dukagjin Lipa vendosi të tërheqë festivalin, ku interpretojnë disa nga emrat më të famshëm të skenave botërore, pas konfliktit me qeverinë kosovare.

“Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe e vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i Festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”, shkroi Dukagjin Lipa, duke shkaktuar një furtunë të vërtetë në rrjet.

Por duket se përtej një lejeje, qëndron një konflikt që ka përfshirë disa institucione në Kosovë. Burime zyrtare i kanë thënë “Panorama Plus” se i gjithë thelbi ishte tek ideja pse duhet “privatizim” të tokës për 99 vite dhe pse 17 hektarë.

Burimi u shpreh se “Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dërguar një letër Bashkisë së Prishtinës, duke i kërkuar informacion rreth kushteve që kjo pronë do të jepej. Një ndër pikat ishte për kohën që do të shfrytëzohej, për përdorim të këtij trualli për aktivitete të tjera veç koncertit si dhe pika e tretë për shfrytëzimin e kësaj toke nga festivale të tjerë. Por teksa letra është dërguar, ende pa marrë një përgjigje zyrtare, Dukagjin Lipa ka dhënë lajmin për largim, duke mos pritur përfundimin e procedurave.

Aktualisht, fondacioni “Sunny Hill” nuk ka marrë një përgjigje negative për kërkesat që ka pasur, pasi zyrtarët shprehen se procedurat ishin duke vijuar, kur lajmi i largimit ishte publikuar. Bëhet me dije se pa nisur kalvari institucional, vetë organizatorët ishin në dyshim për organizimin e festës në Prishtinë. Sipas tyre, shtetasi Alban Kastrati është personi që në Kosovë ka folur dhe madje nënshkruar në emër të “Sunny Hill”.

Sipas tyre, Kastrati ishte personi i autorizuar për procedurat, në mungesë të Dukagjinit. Pas reagimit të babait të Dua Lipës, edhe shtetasi Alban Kastrati ka reaguar në rrjetet sociale, pa specifikuar rolin e tij. Në statusin e bërë, ai shprehet se tokën në fjalë, “Sunny Hill” ka dashur që ta transformojë në një park, duke qenë se tani është një pronë e papërdorur, megjithatë burokracitë nuk e lejuan.

“Sunny Hill Festival këtë vit nuk do të mbahet në Prishtinë. Edicioni i këtij viti që organizohet më 4,5,6 dhe 7 gusht 2022, do të zhvendoset në Tiranë. Të dëshpëruar, këtë vendim jemi detyruar ta marrim për shkak të vonesave të shumta – deri në rrezikim të këtij edicioni të festivalit nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërhyrjeve e kundërshtimeve të panevojshme politike lidhur me kërkesën tonë për përcaktimin e një hapësire publike për Sunny Hill Festival.

Kjo vonesë po vazhdon edhe sot, përkundër faktit se Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar nga një edicion është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobidirekte për imazhin e shtetit), sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Pse Sunny Hill ka kërkuar hapësirë të dedikuar për festivalin? Nevoja për këtë hapësirë përkon me pamundësinë që festivali të vazhdojë të mbahet në Parkun e Gërmisë por edhe rritjen masive të festivalit, i cili ka potencial të bëhet ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropën Juglindore, duke e bërë Prishtinën destinacion për turizëm kulturor nga e gjithë bota derisa ndikimi ekonomik është i dukshëm dhe me efekt të menjëhershëm dhe me potencial te rritjes masive në vitet në vijim.

Toka e papërdorur e Komunës do të bëhej PARK PUBLIK, me qasje të hapur për të gjithë qytetarët tanë… Plani është që hapësirën aktuale (e cila është tokë djerrinë dhe e papërdorshme sot) festivali ta shndërrojë në PARK PUBLIK me qasje të hapur nga të gjithë qytetarët, gjatë gjithë vitit, përveç ditëve të nevojshme për përgatitje dhe mbajtje të festivalit.

Për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara, ky opsion më nuk është i mundshëm, dhe Sunny Hill Festival mund të rikthehet në Prishtinë në vitet e ardhshme, kur mbështetja dhe përgatitjet për një edicion si ky i Tiranës që po bëhet, ndodhë edhe prej institucioneve në Prishtinë”, shprehet ndër të tjera Kastrati, duke sqaruar për herë të parë se për çfarë i duhej një pronë prej 17 ha fondacionit të këngëtares së famshme.

Ndërkohë, zyrtarë të ministrisë shprehen se në aplikimin e bërë, Komuna kanë munguar disa dokumente kyçe dhe sërish ministria ka dërguar email në Komune për sqarim brenda afatit, dhe pastaj nuk ka marrë më email nga komuna, por ‘reply’. Një email që do të duhej të përgjigjej një institucion shtetëror, është përgjigjur fondacioni “Sunny Hill”, një fakt ky i quajtur absurd nga zyrtarët e ministrisë. Ndërkaq, kryebashkiaku i Prishtinës ka sqaruar në një konferencë për shtyp anën tjetër të këtij konflikti. Siç parashihej, Sunny Hillit do t’i jepej një pronë në Bërnicë për 99 vjet në shfrytëzim, gjë që nuk i pëlqeu LVV-së.

“Nuk e kam pru 99, e kam gjetë këtu, sepse qeveria e kalume e ka vendos që kjo tokë t’i ipet në shfrytëzim për 99 vite, kanë qenë vetëm 3 pika, të cilat janë kërku që me u bë e ligjshme, ka qenë aspekti publikimi i listës së pronave komunale. Miratimi paraprak i listës së veçantë të pronës komunale dhe negocimi me Sunny Hill, të tirja i kemi bë – kjo është pse nuk ka pasur arsyeje për mos me u zhvarrit tutj”, ka thënë Rama, përcjell “Insajderi”.

“Ne faktikisht i kemi ofru Sunny Hill, jemi kanë të hapur për me i leju kudo me zhvillu festivalin. Në Gërrmi nuk kanë mujt për shkak se tash është vend i mbrojtur, ndërsa për shkak të zvarritjes edhe atje ku është destinimi i Sunny Hill Festivalit duhet goxha punë për me u përgatit. Këtë pyetje lirisht bëjani edhe Sunny Hillit”, tha Rama teksa nga Sunny Hill janë shprehur se tanimë ajo hapësirë nuk është e mjaftueshme.

E humbjet nga mosmbajtja e këtij Festivali në kryeqytet do të jenë të mëdha, këtë e thotë vetë Rama derisa thekson se parashihej që ky festival t’i sillte Prishtinës 15 milionë euro fitim. Pasi nuk iu dha prona prej 17-hektarësh, “Sunny Hill” do të mbahet në Tiranë. Ajo që u paralajmërua, u plotësua.

Por si erdhi festivali prestigjioz në Tiranë, kur në Prishtinë marrëveshja ishte mjaft e majme?

Dua Lipa në një konferencë për shtyp nga Tirana premtoi surpriza me fondacionin “Sunny Hill”. Por teksa konflikti kishte nisur në Kosovë, në Tiranë kishte nisur joshja. Të shumta kanë qenë zërat se në fakt festivali ishte planifikuar që të mbahej në Tiranë që vitin e shkuar. Koncerti i famshëm do të mbahet te Liqeni, që duhet thënë është një hapësirë pak a shumë sa parku i Gërmisë, për të cilin “Sunny Hill” u shpreh se ishte i pamjaftueshëm për të organizuar koncertin gjigant. Mbetet për t’u parë se kush do të ngjitet në skenën e madhe të festivalit, që pritet të ketë një vëmendje të madhe mediatike botërore. Ndërkohë, një ndër emrat e lakuar është edhe Madonna, e cila është përfolur se do t’i bashkohet festivalit. Megjithatë, për të mësuar detaje të reja do të na duhet të presim edhe pak.

Kategoritë
LajmeVendi