Prej sot hallkat gjurmuese në këmbën e dhunuesve, Kurti thotë se dhuna ndaj grave do të luftohet si asnjëherë më parë

Pas lansimit të projektit të hallkave për mbikëqyrje elektronike, kryeministri Albin Kurti tha se gjurmuesit do të ndihmojnë që si asnjëherë më parë viktimat ta luftojnë suksesshëm dhunën në familje.

Kurti theksoi se mbikëqyrja elektronike do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje, pasi siç tha ai në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi do të lajmërohen të dy nivelet, lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj vijon procedura standarde për ndërhyrje.

“Ndoqëm demonstrimin që na u prezantua se si funksionojnë hallkat për monitorim elektronik. Hallkat, byzylykët që do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër edhe gjurmuesit të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje. Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, tha Kurti.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë.

Dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregull nga Prokuroria, po i inkurajon dhunuesit dhe po shndërronë në vrasës.

“Ne në vazhdimësi kemi thënë se do të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Kosovë. Kemi ndërmarr shumë veprime. Kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë. Dhuna në familje nuk është çështje private është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast presim veprime serioze sidomos nga Prokuroria dhe Gjykata. Dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregull nga Prokuroria i inkurajon dhunuesit në mënyrë që shteti pra me këto veprime, institucionet e drejtësisë, dhunuesit po i shndërrojnë në vrasës”, tha Haxhiu.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se këto pajisje do të shfrytëzohen edhe në raste të tjera në parandalim të veprave të ndryshme penale, por që roli primar i tyre është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave.

“Ky është edhe një sukses i policisë por edhe i gjithë sistemit të drejtësisë drejta asaj që të parandalohet përsëritja e dhunës ndaj vajzave dhe grave, por jo vetëm. Ky sistem patjetër që do të shfrytëzohet edhe në raste të thera në parandalim të veprave të ndryshme penale, por roli primar është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave. Zbatimi efikas i sistemit do ta sjell një ndryshim jashtëzakonisht të madh në parandalimin e kësaj vepre të rendë”, ka thënë ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se policia e ka pasur obligim që ta funksionalizoj këtë sistem duke u bazuar në ligjin mbi mbikëqyrjen elektronike.

“Policia e Kosovës e ka pasur një obligim bazuar në ligjin mbi mbikëqyrjen elektronike e kjo ka qenë që të kemi sistemin funksional për mbikëqyrje elektronike të rasteve të dhunës në familje. Qeveria ka ndarë një buxhet të veçantë për këtë projekt dhe PK-ja ka krijuar një ekip për të negociuar dhe për të hartuar projektin dhe kemi arrit që projektin ta kompletojmë”, ka thënë ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi