Presidenca: Përzgjedhja e Kryeprokurorit në Kushetuese, kontestohet aktgjykimi i Supremes

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, ka njoftuar se nëpërmjet një letre, sot është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit.

Sipas njoftimit, në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Presidentja Osmani ka sqaruar në vazhdimësi se të gjitha veprimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do t`i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke respektuar pavarësinë e procedurave gjyqësore, sikurse edhe të drejtën e kandidatëve për të shteruar procedurat kushtetuese dhe ligjore për realizmin e të drejtave të tyre”, thuhet në njoftimin e Presidenës.

Në njoftimin dërguar mediave, bëhet e ditur se sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese.

Më 8 prill 2022, Presidenca kishte pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për emërim të kryeprokurorit të Republikës së Kosovës, ndërkaq më 13 maj 2022 Presidenca është njoftuar përmes një shkrese zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, se njëri nga kandidatët në këtë proces ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi.

Përkundër kësaj, KPK ka insistuar në vazhdimësi në dekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.

Kategoritë
LajmeVendi