Presidenti amerikan Joe Biden e kalon koronavirusin

Mjeku O’Connor ka deklaruar se kanë kaluar 36 orë nga përfundimi i trajtimit pesëditor me “Paxlovid” dhe se pothuajse të gjitha simptomat e Biden-it janë zhdukur

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka rezultuar negativ në testet e fundit për COVID-19 pasi ishte infektuar me virusin javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajmi u bë i ditur përmes një letre të ndarë me publikun të cilën mjeku Kevin O’Connor ia ka dërguar zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në lidhje me gjendjen shëndetësore të presidentit amerikan.

O’Connor ka deklaruar se kanë kaluar 36 orë nga përfundimi i trajtimit pesëditor me “Paxlovid” dhe se pothuajse të gjitha simptomat e Biden-it janë zhdukur.

Duke njoftuar se Biden ka bërë dy teste, mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm, O’Connor ka thënë se rezultatet e testeve në fjalë ishin “negative”.

Pas publikimit të rezultateve të testimit, u përditësua edhe orari ditor i Shtëpisë së Bardhë dhe u njoftua se Biden do të mbajë fjalim në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë në orën 11:30 me kohën lokale.

Kategoritë
BotaLajme