Presidenti Begaj nderon ish-ambasadorin Walker me medaljen më të lartë shtetërore

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me një postim në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se ish-ambasadorin amerikan William Walker e ka nderuar me medaljen më të lartë të shtetit shqiptar, “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit”, shkruan Gazeta Metro.

Begaj pati konsiderata të larta për ish-ambasadorin Walker, i cili luajti rolin vendimtar në mediatizimin e masakrës së Reçakut në janar të vitit 1999.

Presidenti tha se Walker është shembull për mbrojtjen e jetës së njerëzve, lirisë, zhvillimit të qytetarëve të Kosovës, rajonit dhe kombit shqiptar.

Nderova sot në emër të shtetit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve, me një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” Ambasadorin William G. Walker.
Ambasadori Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i pari që ekspozoi në mbarë botën si “një krim kundër njerëzimit” masakrën e Reçakut, ku u masakruan dyzet e pesë qytetarë të pafajshëm nga trupat ushtarake dhe paraushtarake të regjimit të Millosheviçit, gjë që solli reagimin e menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar.
Për të mos harruar krimet e së shkuarës si edhe në sfondin e agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë, për të ruajtur paqen dhe për t’i lënë një botë më të mirë fëmijëve tanë, vlerësojmë personalitete si Ambasadori Walker, shembull dhe mbrojtës i jetës, lirisë dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës, të rajonit e të kombit tonë./gazetametro.net

Kategoritë
LajmeRajoni