Presidenti Begaj shpreh ngushëllimet për tërmetin shkatërrimtar në Ambasadën e Türkiye-s në Tiranë

Presidenti Begaj është pritur nga Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, dhe më pas ka lënë mesazhin e tij në librin e ngushëllimeve.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vizituar Ambasadën e Türkiye-s në Tiranë, duke nënshkruar në librin e ngushëllimeve për tërmetin shkatërrimtar në Türkiye, transmeton Anadolu.

Presidenti Begaj është pritur nga Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, dhe më pas ka lënë mesazhin e tij në librin e ngushëllimeve.

“Sot shpreha ngushëllimet pranë Ambasadës së Turqisë (Türkiye-s), për tërmetin shkatërrimtar të datës 6 shkurt 2023. Populli shqiptar, si dhe unë e kemi të vështirë të gjejmë fjalët e duhura për të ngushëlluar popullin vëlla turk dhe qetësuar sadopak zemrat e familjeve të të mbijetuarve”, ka shkruar Begaj në rrjetet sociale.

Begaj ka shtuar se luten për një rimëkëmbje sa më të shpejtë fizike dhe shpirtërore të secilës familje të prekur nga kjo tragjedi.

Pranë Ambasadës së Türkiye-s në Tiranë kanë përcjellë mesazhet e tyre të ngushëllimit edhe zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.

Zyrtarët e lartë të Shqipërisë në reagimet e tyre shprehën solidaritetin me shtetin dhe popullin turk pas tërmetit shkatërrimtar.

Nga ana tjetër, një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë në total 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe shtatë mjete, u dërguan në Türkiye për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Sipas të dhënave të fundit të autoriteteve turke, numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmetet në Türkiye deri më tani është 8.574 dhe numri i të plagosurve 49.133.

Kategoritë
LajmeRajoni