“U takon atyre rreth kësaj tavoline të marrin përsipër detyrën urgjente për t’i dhënë fund kësaj plage që turpëron njerëzimin. Prandaj, ne e kemi bërë nisjen e një Aleance Globale një qëllim qendror të presidencës së Brazilit në G20”, tha Lula
Presidenti brazilian, Luis Inacio Lula da Silva, ka hapur samitin e liderëve të G20-tës në qytetin Rio de Janeiro dhe përmes fjalimit të tij është ankuar për tensionet në rritje dhe konfliktet e armatosura që rrënojnë skenën globale, transmeton Anadolu.
Për herë të parë, udhëheqja braziliane mbajti presidencën e G20-tës, respektivisht të bllokut ekonomik të përbërë nga 20 ekonomitë më të mëdha në botë. Si mikpritës, presidenti brazilian vendosi urinë dhe varfërinë botërore si prioritetet kryesore në agjendë.
“Unë me trishtim po vëzhgoj se bota është më keq. Ne kemi numrin më të madh të konflikteve të armatosura që nga Lufta e Dytë Botërore dhe numrin më të madh të zhvendosjeve të detyruara të regjistruara ndonjëherë”, tha Lula.
Gjatë fjalës së tij në hapjen e samitit, presidenti brazilian përmendi shifrat e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) për urinë në botë, duke raportuar se në vitin 2024 nga kequshqyerja ende vuajnë 733 milionë njerëz.
“Në një botë që prodhon gati 6 miliardë tonë ushqim në vit, kjo është e papranueshme. Në një botë ku shpenzimet ushtarake arrijnë në 2.4 trilionë dollarë, kjo është e papranueshme”, tha ai.
Lula theksoi fuqinë e madhe ekonomike dhe ndikimin e qëndrueshëm midis anëtarëve të G20-tës, duke shtuar se ato përbëjnë 85 për qind të prodhimit të brendshëm bruto global dhe 32 trilionë dollarë në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, të cilat mund të synojnë t’i japin fund urisë në botë.
“U takon atyre rreth kësaj tavoline të marrin përsipër detyrën urgjente për t’i dhënë fund kësaj plage që turpëron njerëzimin. Prandaj, ne e kemi bërë nisjen e një Aleance Globale kundër Urisë dhe Varfërisë një qëllim qendror të presidencës së Brazilit në G20. Kjo do të jetë trashëgimia jonë më e madhe”, tha Lula.
Aleanca Globale kundër Urisë dhe Varfërisë buron nga përpjekjet e brendshme të Brazilit për të luftuar varfërinë dhe urinë. Sipas presidentit brazilian, në një vit e njëmbëdhjetë muaj të zbatimit të programit, mbi 24.5 milionë njerëz janë nxjerrë nga varfëria ekstreme dhe parashikohet që deri në vitin 2026 Brazili të hiqet nga Harta e Urisë.
Deri më 15 nëntor, kjo nismë ka regjistruar pjesëmarrjen e 37 vendeve.
G20-ta përbëhet nga 19 vende që përfshijnë Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Indonezinë, Italinë, Japoninë, Korenë, Meksikën, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Rusinë, Türkiyen, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, si dhe dy organe rajonale, përkatësisht Unionin Afrikan dhe Bashkimi Evropian (BE).
Anëtarët e G20-tës përfaqësojnë rreth 85 për qind të prodhimit bruto të brendshëm botëror, më shumë se 75 për qind të tregtisë botërore dhe rreth dy të tretat e popullsisë së botës.