Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha: “Askush nuk ka fuqi t’i dëbojë palestinezët nga atdheu i tyre mijëravjeçar. Gaza, Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor i përkasin Palestinës dhe palestinezëve.”
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, para vizitave që do të zhvillojë në Malajzi, Indonezi dhe Pakistan, dha deklarata për shtyp në Aeroportin Atatürk.
Pikat kryesore të fjalimit të Presidentit Erdoğan janë si më poshtë:
“BESOJMË SE SIRIA DO TË ARRITË STABILITETIN NË KOHËN MË TË SHKURTËR”
“Besojmë se Siria, nën udhëheqjen e matur të Presidentit Shara, do të arrijë stabilitetin në kohën më të shkurtër të mundshme. Ndërkohë, në pjesë të ndryshme të vendit po zbulohen varreza masive, të cilat zbulojnë fytyrën e përgjakshme të regjimit të Esadit dhe milicive të tij.”
“ASKUSH NUK KA FUQI T’I DËBOJË PALESTİNEZËT NGA ATDHEU I TYRE”
“Edhe pse Izraeli vazhdon me lojërat e tij politike, shkëmbimi i të burgosurve dhe pengjeve po vazhdon. Me kënaqësi vërejmë se Hamasi po i përmbahet premtimeve të tij.
Fatkeqësisht, shohim se në vend të vendosjes së një armëpushimi të qëndrueshëm, në mendjen e autoriteteve izraelite ka plane më të fshehta dhe çnjerëzore.
Askush nuk ka fuqi t’i dëbojë gazianët nga atdheu i tyre mijëravjeçar. Gaza, Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor i përkasin Palestinës dhe palestinezëve.”
“Nën presionin e administratës sioniste, propozimet e reja të paraqitura nga administrata e re e SHBA-ve lidhur me Gazën nuk kanë asnjë vlerë për t’u diskutuar nga pikëpamja jonë.”