Presidenti Erdogan i vendosur të mundësojë takimin ndërmjet homologëve nga Rusia dhe Ukraina

Presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi të enjten vendosmërinë e tij për të zhvilluar bisedime me homologët nga Ukraina dhe Rusia për të mundësuar një takim mes tyre që do t’i jepte fund gjakderdhjes.

Kjo deklaratë e liderit turk erdhi përpara se t’i hipte avionit për t’u kthyer në Türkiye nga Uzbekistani, ku ai zhvilloi një vizitë dyditore me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Erdogani foli për luftën ruso-ukrainase, pozicionin e Ankarasë dhe përpjekjet ndërmjetësuese të saj për një paqe të qëndrueshme, si dhe për lidhjet energjetike me Izraelin.

“Unë besoj se takimet e mbajtura nga delegacionet ruse dhe ukrainase në Stamboll ndihmuan procesin e paqes të fitonte vrull kuptimplotë. Vendimi rus për të reduktuar ndjeshëm operacionet ushtarake në Kiev dhe Çernigov është me të vërtetë një hap i rëndësishëm”, u shpreh Erdogani.

Duke theksuar vendosmërinë e tij për të realizuar bisedime me Presidentin rus, Vladimir Putin dhe Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ai tha se do t’u thoshte homologëve të tij që synimi përfundimtar i qeverisë turke tani është të mundësojë një takim mes tyre për t’i dhënë fund gjakderdhjes.

“Ne jemi gati të presim një takim në nivel presidencial. Sidoqoftë, me rëndësi të madhe është që të sigurohet një armëpushim i përkohshëm”, bëri me dije kreu i shtetit turk duke shtuar se diplomacia aktive dhe qasja e ekuilibruar e Ankarasë i mundësoi asaj të presë negociatat në Stamboll.

Erdogani theksoi gjithashtu rolin e mundshëm të Türkiye si një nga shtetet garantuese për sigurinë e Ukrainës duke thënë se Ankaraja ishte e hapur për t’u bërë një shtet garantues, ndërkohë që detajet duhet të sqarohen.

“Turkiye vazhdon kundërshtimin ndaj sanksionimit të Rusisë. Në vend të kësaj i jep përparësi qëndrimit kundër lëvizjeve ushtarake të Rusisë dhe vazhdimit të dialogut”, shtoi udhëheqësi turk.

“Ky dialog është i rëndësishëm dhe i nevojshëm jo vetëm në kontekstin e Ukrainës, por edhe në shumë hapësira gjeografike të tjera që na shqetësojnë nga afër, siç janë Siria, Libia dhe Kaukazi Jugor”, nënvizoi Presidenti Erdogan.

Lufta që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022), ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 1.189 civilë janë vrarë dhe 1.901 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i ofensivës së Rusisë ndaj fqinjit të saj perëndimor, ndërkohë që mbi 4 milionë ukrainas janë arratisur në vendet fqinje, sipas vlerësimeve të OKB-së, e cila dyshon se shifrat reale mund të jenë shumë më e larta.

Erdogani u ndal gjithashtu mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Türkiye dhe Izraelit në fushën e energjisë duke hedhur idenë që eksportet energjetike izraelite të kalojnë përmes territoreve turke.

“Unë do të zhvilloj bisedime me Kryeministrin izraelit, Naftali Bennett, pas ramazanit, për të ndërmarrë hapa të menjëhershme. Bashkëpunimi turko-izraelit do të përshpejtojë procesin në lidhje me naftën dhe gazin natyror të Mesdheut Lindor”, vijoi shefi i Ankarasë zyrtare.

Presidenti turk foli edhe në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez.

“I thash (Presidentit Isaac Herzog të Izraelit) të japë mbështetjen e nevojshme që myslimanët të kenë mundësinë për të vizuar të qetë e në paqe Xhaminë Al-Aksa gjatë Fitër Bajramit”, potencoi Erdogani mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme