Presidenti Erdoğan mbërrin në Uzbekistan për samitin e Organizatës së Shteteve Turke

Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, gjatë samitit do t’i dorëzojë presidentit Erdoğan “Urdhrin e Meritave të Shquara”, si dhe “Urdhrin Suprem të Botës Turke” për shërbimet e tij të lavdërueshme

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbërritur në Samarkand të Uzbekistanit për të marrë pjesë në samitin e nëntë të Organizatës së Shteteve Turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Samarkandit nga kryeministri i Uzbekistanit, Abdulla Aripov, zv.kryeministri Jamshid Khodjaev dhe zv.ministri i Punëve të Jashtme, Gayrat Fazilov.

Presidenti shoqërohej nga zonja e parë Emine Erdoğan, ministri i Rinisë dhe Sporteve, Mehmet Kasapoğlu, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, ministri i Arsimit, Mahmut Özer, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ministri i Tregtisë, Mehmet Muş, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoğlu, kreu i Komunikimeve të Presidencës Turke, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi presidencial, İbrahim Kalın.

Tema e samitit do të jetë “Epoka e re për qytetërimin turk: Drejt zhvillimit dhe prosperitetit të përbashkët”.

Në samit do të merren vendime që do të formojnë udhëzuesin e parë 5-vjeçar të zbatimit të dokumentit të vizionit, i cili përbën udhërrëfyesin 20-vjeçar të organizatës. Po ashtu mandati i presidencës me organizatës do të transferohet nga Türkiye në Uzbekistan.

Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, gjatë samitit do t’i dorëzojë presidentit Erdoğan “Urdhrin e Meritave të Shquara”, si dhe “Urdhrin Suprem të Botës Turke” për shërbimet e tij të lavdërueshme.

Kategoritë
BotaLajme