Presidenti Erdoğan njofton zgjatjen e marrëveshjes së korridorit të drithit të Detit të Zi për 2 muaj të tjerë

“Ne shpresojmë se do të shohim ditët kur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës do të përfundojë, fillimisht me një armëpushim të përhershëm dhe më pas me paqe”, tha Erdoğan

Marrëveshja e korridorit të drithit të Detit të Zi, e cila do të skadonte më 18 maj, u zgjat edhe për dy muaj të tjerë, njoftoi sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

“Me përpjekjet e vendit tonë, mbështetjen e miqve tanë rusë dhe kontributin e miqve tanë ukrainas, u vendos që të zgjatet marrëveshja e korridorit të drithit të Detit të Zi për dy muaj të tjerë”, tha Erdoğan gjatë një fjalimi me krerët e provincave të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), deputetë dhe kryetarët e bashkive të partisë përmes një video-lidhjeje.

Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina fillimisht nënshkruan marrëveshjen në Istanbul korrikun e kaluar për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tri vendet dhe OKB-ja u krijua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat.

“Ne shpresojmë se do të shohim ditët kur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës do të përfundojë, fillimisht me një armëpushim të përhershëm dhe më pas me paqe”, tha Erdoğan.

Presidenti falënderoi homologun e tij rus dhe atë ukrainas dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për përpjekjet e tyre.

“Përveç kësaj, miqtë tanë rusë deklaruan se nuk do të pengojnë daljen e anijeve turke nga portet Mykolaiv dhe Olvia. Ne u jemi mirënjohës për këtë”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme