Presidenti gjerman: Politika e Trumpit “bëj marrëveshje dhe ik” lidhur me Ukrainën do të dobësonte aleatët

“Të gjithë duan që kjo luftë të përfundojë. Por, mënyra se si përfundon kjo luftë do të ketë ndikim të qëndrueshëm në rendin tonë të sigurisë dhe në pozitën e fuqisë së Evropës dhe Amerikës në botë”, tha Steinmeier

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi sot SHBA-në kundër hyrjes së nxituar në negociatat e paqes me Rusinë në lidhje me Ukrainën, duke paralajmëruar për pasoja të gjera për aleatët, raporton Anadolu.

“Jam i bindur se thjesht një politikë ‘bëj marrëveshje dhe ik’ do të na dobësonte të gjithëve: Ukrainën dhe Evropën – por edhe SHBA-në”, tha Steinmeier në fjalimin e tij të hapjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ai vuri në dukje se pas telefonatës së presidentit amerikan Donald Trump me presidentin rus Vladimir Putin, mënyrat e mundshme për t’i dhënë fund luftës do të jenë në fokus të konferencës së sigurisë të këtij viti.

“Të gjithë duan që kjo luftë të përfundojë. Por, mënyra se si përfundon kjo luftë do të ketë ndikim të qëndrueshëm në rendin tonë të sigurisë dhe në pozitën e fuqisë së Evropës dhe Amerikës në botë”, tha Steinmeier.

Ai theksoi nevojën kritike për të mbrojtur unitetin transatlantik dhe për të ruajtur mbështetjen për Ukrainën.

“Çdo skenar, qoftë para apo pas përfundimit të luftimeve, kërkon parandalimin dhe forcën tonë të përbashkët. Kjo është arsyeja pse, në çdo skenar, mbështetja jonë për Ukrainën duhet të vazhdojë, ajo e evropianëve dhe ajo e amerikanëve”, shtoi presidenti gjerman.

“Madje edhe më të fortët, përfshirë SHBA-në, do të varen nga aleatët dhe NATO në shekullin e 21-të”, ka thënë po ashtu Steinmeier.

Kategoritë
BotaLajme