Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, ka theksuar se dëshiron që trajneri i përfaqësueses, Dorival Junior, të largojë nga ekipi Viniciusin, Endrickun, Rodrygon dhe futbollistët e tjerë që luajnë në Evropë.
Pas fitores së Brazilit kundër Kilit në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, falë golave të futbollistëve të Botafogos, Igor dhe Henrique, Lula ka deklaruar se dëshiron që në përfaqësuese të luajnë vetëm lojtarët nga liga braziliane.
Në një intervistë radiofonike, Lula tha se tashmë kishte kontaktuar me presidentin e Federatës së Futbollit të Brazilit, Ednaldo Rodrigues, dhe i kishte thënë se përfaqësuesja duhet të përbëhet ekskluzivisht nga lojtarë të ligës vendase, duke sugjeruar që për Viniciusin, Rodrygon, Allissonin, Edersonin, Gabrielin… nuk duhet të ketë vend në ekip.
“Lojtarët që luajnë në ligën braziliane nuk janë aspak më të dobët se ata që luajnë në Evropë. Asnjëri prej tyre nuk është Garrincha apo Romario. Në Brazil luajnë futbollistë me të njëjtën cilësi si ata që luajnë në Evropë dhe për këtë arsye duhet t’u japim mundësinë atyre nga liga jonë,” tha presidenti brazilian.
Edhe pse është e vështirë të pritet që trajneri dhe presidenti i federatës të dorëzohen nën presionin e presidentit të shtetit, kjo nuk do të ishte aq e pabesueshme duke marrë parasysh lidhjen e rregullt mes politikës dhe sportit në shtetet e Amerikës së Jugut.