Presidenti i Hungarisë çon urime për pavarësi, në mesazh ia konfirmon datën e vizitës Osmanit në shtetin e tij

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti i Hungarisë, Dr. Tamás Sulyok, ka dërguar një mesazh urimi për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shprehur urimet më të përzemërta për të dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu, në urim ia ka konfirmuar takimin presidentes Osmani, me datë 17 qershor 2025.

Në mesazhin e tij, Presidenti Sulyok ka theksuar mbështetjen e Hungarisë për zhvillimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar reformat e rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale që po ndërmerr Kosova në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Jemi të bindur se reformat e nevojshme për arritjen e statusit të kandidatit për anëtarësim do të përmbyllen me sukses sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ai, duke shprehur angazhimin e Hungarisë për ta mbështetur këtë proces, njofton presidenca.

Gjithashtu, Presidenti Sulyok ka shprehur kënaqësinë e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Ai ka theksuar se shkëmbimet e nivelit të lartë mes dy vendeve kanë ndihmuar në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeVendi