Presidenti i Maqedonisë së Veriut priti në takim homologun e tij shqiptar

“Në takim janë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes dy vendeve si dhe është shprehur kënaqësia për zhvillimin pozitiv të tyre, përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe shkëmbimit të vizitave në nivelin më të lartë.”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, priti në takim homologun e tij shqiptar, Ilir Meta, i cili po qëndron për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e pritjes u mbajt në rezidencën presidenciale “Villa Vodno” në Shkup, ku më pas të dy presidentët kaluan në takim.

Në njoftimin e bërë nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut theksohet se në takim janë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes dy vendeve si dhe është shprehur kënaqësia për zhvillimin pozitiv të tyre, përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe shkëmbimit të vizitave në nivelin më të lartë.

Në takim, sipas njoftimit, është konstatuar se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë, përmes përkushtimit për marrëdhënie të mira fqinjësore, japin një kontribut të fuqishëm në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, si dhe në perspektivën evropiane.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se të dyja vendet, si aleatë në NATO, japin kontributin e tyre edhe në mbrojtjen e vlerave të komunitetit euroatlantik.

“Në kuadër të aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dy presidentët vunë në dukje nevojën e zhbllokimit të procesit dhe fillimit të shpejtë të negociatave të anëtarësimit të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që sipas tyre, do të ketë një kontribut pozitiv në progresin e përgjithshëm dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, presidenti Pendarovski ka uruar Republikën e Shqipërisë për zgjedhjen e saj si anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për periudhën 2022-2023.

Kategoritë
LajmeRajoni