Presidenti i UEFA-s: Projekti i “Superligës” në Evropë është i vdekur

Kreu i UEFA-s, Aleksander Çeferin, hodhi poshtë deklaratat e Bernd Reichart, drejtirit të ri të përgjithshëm të A22 Sports Management, kompania që qëndron pas projektit për lançimin e kompeticionit të ri.

Projekti i Superligës së skuadrave evropiane të futbollit ka “vdekur”, deklaroi të enjten presidenti i Unionit të Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA), Aleksander Çeferin.

Kreu i organizatës ombrellë të futbollit evropian, gjatë një bisede me gazetarët në Argjentinë, hodhi poshtë deklaratat e bëra një ditë më parë nga Bernd Reichart, drejtori i ri i përgjithshëm i kompanisë A22 Sports Management, e cila qëndron pas projektit të lançimit të kompeticionit të ri.

Reichart tha se iniciativa për formimin e kompetecionit ekziston ende, megjithëse në një format tjetër.

“Ne jemi këtu për të folur për futbollin, kurse ky nuk është futboll”, deklaroi Çeferin.

A22 Sports Management, së bashku me 12 klube elitare në Spanjë, Angli dhe Itali, shpallën formimin e Superligës në prill të vitit të kaluar, gjë që u kundërshtua nga UEFA. Projekti origjinal u shemb brenda 48 orëve, kurse kompania tani pretendon se Real Madrid, Barcelona dhe Juventus po diskutojnë rreth një turneu të bazuar në merita.

Kategoritë
Sport