Presidenti i UEFA-s propozoi një revolucion që do të ndryshojë përgjithmonë futbollin botëror – më shumë do të preken klubet angleze

Presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin, propozoi një vendim revolucionar që do të ndryshonte përgjithmonë futbollin botëror dhe që lidhet me pagat e futbollistëve.

Teksa pagat e yjeve më të mëdhenj të futbollit shkojnë në pafundësi, UEFA ndërmori hapin e parë të madh dhe kërkoi të kufizojë potencialin fitues të futbollistëve në Evropë duke vendosur rregullore për masën e pagës.

Ceferin pranoi në një intervistë për mediat nga SHBA-të se organi drejtues i futbollit evropian kërkoi vendosjen e kufizimeve të pagave sa më shpejt të jetë e mundur.

“Për momentin, ne kemi një rregull të ri nga viti 2024 që klubet mund të shpenzojnë 70 për qind të të ardhurave të tyre për paga dhe transferime. Megjithatë, kjo nuk do të mjaftojë sepse ka klube me të ardhura prej 5 miliardë dollarësh dhe 70 për qind e kësaj shume është e madhe”.

“Nuk ka asgjë të diskutueshme me pronarët. Bëhet fjalë për rëndësinë e garës, sepse nëse pesë klube fitojnë gjithmonë, atëherë nuk ka më kuptim. Por duhet të jetë një marrëveshje kolektive e çdo lige me UEFA-n. Nëse e bëjmë dhe ligat e tjera jo, atëherë nuk ka kuptim”, ka thënë Ceferin.

Nuk ka dyshim se një vendim i tillë do të ndryshonte përgjithmonë fytyrën e futbollit evropian.Kjo do të dëmtonte veçanërisht klubet e pasura angleze që paguajnë pagat më të larta për lojtarët. Kështu, ata nuk do të mund të sillnin më të gjithë lojtarët që duan dhe t’u jepnin paga “të pakufizuara”.

Kategoritë
LajmeSport