Presidenti izraelit nuk zbret për 40 minuta nga avioni në Paris për shkak të shqetësimeve të sigurisë

“Për shkak të frikës së një incidenti sigurie në aeroportin e Parisit, presidenti Herzog dhe delegacioni i tij shoqërues nuk u lejuan të zbrisnin nga avioni”, tha transmetuesi publik izraelit KAN

Sipas mediave izraelite sot, presidenti izraelit Isaac Herzog dhe delegacioni i tij u detyruan të qëndronin në avionin e tyre pas zbarkimit në Paris për shkak të shqetësimeve të sigurisë, transmeton Anadolu.

Herzog mbërriti në kryeqytetin francez për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike dhe për t’u takuar me zyrtarë francezë.

“Për shkak të frikës së një incidenti sigurie në aeroportin e Parisit, presidenti Herzog dhe delegacioni i tij shoqërues nuk u lejuan të zbrisnin nga avioni”, tha transmetuesi publik izraelit KAN.

“Pas rreth 40 minutash, presidenti dhe delegacioni i tij shoqërues u lejuan të zbrisnin nga avioni”, shtoi ai.

Portali izraelit i lajmeve Walla tha se masa u mor pasi një person u pa në çatinë e një ndërtese në afërsi gjatë uljes së aeroplanit.

Sipas gazetës The Times of Israel, masat e sigurisë janë shtuar për delegacionin izraelit në Lojërat Olimpike në Paris, mes tensioneve për shkak të ofensivës së vazhdueshme të Tel Avivit në Rripin e Gazës

Kategoritë
BotaLajme