“Kundërshtojmë dëbimin e palestinezëve nga tokat e tyre dhe shkeljen e të drejtave të tyre”, tha presidenti i Libanit, Joseph Aoun
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun tha se kundërshton planin e presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Presidenca libaneze thuhet se Aoun u takua me ministrin e Jashtëm portugez Paulo Rangel në Pallatin Baabda në kryeqytetin Bejrut.
Aoun u kërkoi vendeve të Bashkimit Evropian që të bëjnë presion ndaj Izraelit për t’u tërhequr deri më 18 shkurt ndërsa ministri i Jashtëm portugez Rangel tha se vendi i tij mbështet Libanin në shumë fusha.
Lidhur me çështjen palestineze, Rangel potencoi se vendi i tij mbështet zgjidhjen me dy shtete, rindërtimin e Rripit të Gazës dhe rolin aktiv të Autoritetit Palestinez në këtë proces.
Aoun theksoi se “kundërshtojnë dëbimin e palestinezëve nga tokat e tyre dhe shkeljen e të drejtave të tyre” dhe bëri thirrje për një zgjidhje me dy shtete bazuar në Iniciativën Arabe të Paqes të miratuar në vitin 2002.
– Plani i Trumpit për Gazën
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të cilin e priti në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “SHBA-ja do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës”.
Ai tha se Gaza tashmë ishte një zonë e shkatërrimit të plotë. Trump mbrojti idenë se do të ishte shumë më mirë për palestinezët në Gaza të shkonin në vendbanime të reja që do të ndërtoheshin në vendet fqinje, veçanërisht në Egjipt dhe Jordani.
Trump pretendon se palestinezët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të largohen nga Gaza.