Presidenti meksikan konfirmon mos pjesëmarrjen e tij në Samitin e Amerikave në SHBA

Obrador konfirmoi mos pjesëmarrjen e tij në takimin global, pasi më 10 maj u zotua se nuk do të marrë pjesë nëse qeveria amerikane përmbahet nga ftuarja e të gjitha vendeve në rajonin e Amerikës

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka njoftuar vendimin e tij për mos pjesëmarrjen e tij në Samitin e Amerikave, duke dërguar në emër të tij shefin e diplomacisë së Meksikës në ngjarjen në Los Angeles të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një konference për media, Obrador konfirmoi mos pjesëmarrjen e tij në takimin global, pasi më 10 maj u zotua se nuk do të marrë pjesë nëse qeveria amerikane përmbahet nga ftuarja e të gjitha vendeve në rajonin e Amerikës.

Pas disa ditëve pritje që SHBA të vendosë nëse vendet e tilla si Kuba, Nikaragua dhe Venezuela do të ftohen ose jo në samitin që filloi sot, presidenti meksikan njoftoi se nuk do të marrë pjesë në samit, duke dërguar në përfaqësinë e tij kryediplomatin Marcelo Ebrard.

“Ne informojmë popullin e Meksikës se nuk do të marr pjesë në samit. Marcelo Ebrard do të përfaqësojë qeverinë dhe mua. Unë nuk do të shkoj në samit, sepse jo të gjitha vendet e Amerikës janë të ftuar. Nuk mund të ketë samit të Amerikës nëse nuk marrin pjesë të gjitha vendet e kontinentit amerikan”, tha Obrador.

Presidenti meksikan tha se homologu i tij amerikan, Joe Biden, nuk është përgjegjës për mënyrën se si ndodhën gjërat, duke theksuar se ai është nën presion të madh. Ai po ashtu e lavdëroi presidentin Biden si një “njeri të mirë”, ndërkohë fajësoi republikanët “ekstremistë” dhe udhëheqësit e komunitetit kuban në SHBA.

“Unë kam marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Biden. Ai është një njeri i mirë. Në këtë rast ndjej se ka shumë presion nga republikanët dhe veçanërisht nga disa liderë që kanë të bëjnë me komunitetin kuban në Florida të SHBA-së. shtetet kanë shumë ndikim, por nga këndvështrimi im ata veprojnë me urrejtje dhe nuk duan vëllazërimin e popujve”, u shpreh Obrador.

Kategoritë
BotaLajme