Asociacioni i komunave me shumicë serbe tash e më shumë se një dekadë vazhdon të jetë temë ndër më kryesoret në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta implementojë Asociacionin.
Lëvizja Vetëvendosje që tash drejton Qeverinë gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte ashpër marrëveshjet e 2013 dhe 2015 për Asociacionin.
Por, një marrëveshje e Brukselit e vitit 2023 me aneks të Ohrit përmban pikën e Asociacionit, ndonëse marrëveshja nuk është nënshkruar.
Si ide ka qarkulluar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta dërgojë draft statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Për këtë Osmani është pyetur gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Por, ajo ka thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë këtë pa një akt të Qeverisë.
Zëri i Amerikës: T’i kthehemi edhe një herë pyetjes së statutit dhe Gjykatës Kushtetuese. Nëse Qeveria nuk e dërgon këtë statut që ju e keni në duart tuaja, a ka Presidentja hapësirë për ta dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese? A po e konsideroni një hap të tillë?
Vjosa Osmani: Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113.
Pra, në të kaluarën ka ekzistuar kjo e drejtë. Siç e dini, në vitin 2015 është shfrytëzuar, në kohën 2008-2010 është shfrytëzuar disa herë. Mirëpo që nga viti 2018 e tutje, nëpërmjet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është kufizuar kjo e drejtë e Presidentes. Pra, patjetër duhet të ketë akt paraprak të qeverisë, i cili jo domosdoshmërish duhet të pajtohet me përmbajtjen e statutit, por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje.
Ta ndërlidhi këtë me atë që e thashë më herët. Natyrshëm që një hap i tillë duhet të bëhej në qoftë se ka plan sekuencimi dhe në qoftë se edhe Serbia zbaton në të njëjtën kohë dhe si alternativë në qoftë se bashkësia ndërkombëtare i ofron Kosovës anëtarësim në organizata të cilat janë të domosdoshme për ecjen euro-atlantike të vendit tonë dhe për sigurinë e vendit tonë, sepse në fakt sfida më e madhe me të cilën ne përballemi është sfida e sigurisë, të cilën e krijon Serbia dhe pastaj kjo sfidë krijon shumë të tjera, qoftë në aspektin ekonomik apo të investimeve të jashtme dhe shumë të tjera