Presidentja e KE-së, Von der Leyen: Bosnjë e Hercegovina ka një vend në BE

“Bosnjë e Hercegovina ka një vend në BE. Vendi është pjesë e Evropës. Pikëpamja e BE-së për statusin e vendit kandidat është një tregues i suksesit të BeH-së”, tha presidentja e KE-së, Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se Bosnjë e Hercegovina ka një vend në Bashkimin Evropian dhe se vendi është pjesë e Evropës.

Von der Leyen, pas Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, vizitoi BeH-në dhe mbajti një fjalim në Shtëpinë e Ushtrisë në Sarajevë.

Lidhur me opinionin e BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat për BeH-në, Von der Leyen tha: “Bosnjë e Hercegovina ka një vend në BE. Vendi është pjesë e Evropës. Pikëpamja e BE-së për statusin e vendit kandidat është një tregues i suksesit të BeH-së”.

Ajo theksoi se e ardhmja e BeH-së është në BE dhe uroi që fituesit e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 2 tetor të punojnë për të ardhmen e vendit.

Presidentja e KE-së tha se popullata e re në BeH kërkon të ardhmen në BE. “Dyert e BE-së janë gjithmonë të hapura. Shfrytëzojeni mundësinë që ju jepet tani. Është në duart tuaja të veproni së bashku dhe ne do të jemi gjithmonë pranë jush”, tha Von der Leyen.

Sipas saj, BE-ja do t’i japë 70 milionë euro ndihmë BeH-së në fushën e energjisë. “Rusia nuk po bën vetëm një luftë kundër Ukrainës. Ka një luftë edhe në fushën e energjisë. Të jesh i bashkuar është e rëndësishme jo vetëm për BE-në por edhe për ju. Shumë njerëz janë të shqetësuar për luftën në Ukrainë, por të bashkuar do të jemi të fortë”, tha ajo.

Në kuadër të vizitës së saj në BeH, Von der Leyen, është pritur nga kryetari i Këshillit Presidencial, Shefik Xhaferoviq, anëtari kroat Zheljko Komshiq dhe anëtari serb Milorad Dodik. Ajo u takua me presidentin e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Zoran Tegeltija.

Von der Leyen më pas u nis për në Serbi ku mori pjesë në hapjen e tunelit Ivan me mbështetjen e BE-së.

Kategoritë
BotaLajme