Presidentja e Komisionit Evropian: Prona e ngrirë ruse do të përdoret për të rindërtuar Ukrainën

“Rusia trajton miliona njerëz si një popullsi e papërcaktuar që do të zhvendoset, kontrollohet ose vendoset si një tampon midis forcave ushtarake, duke u përpjekur të shkelë aspiratat e të gjithë kombit me tanke”, tha Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Davos tha se asetet e ngrira ruse duhet të përdoren për të rindërtuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Rusia trajton miliona njerëz jo si qenie njerëzore, por si një popullsi e papërcaktuar që do të zhvendoset, kontrollohet ose vendoset si një tampon midis forcave ushtarake, duke u përpjekur të shkelë aspiratat e të gjithë kombit me tanke”, tha Von der Leyen.

Ajo shtoi se “agresioni doemos duhet të jetë një dështim strategjik” dhe se Ukraina patjetër të fitojë luftën.

Presidenti i Komisionit Evropian premtoi se BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë “do të ndihmojnë dorë për dore për të ngritur Ukrainën nga hiri”, edhe nëse kjo do të kërkonte “punë kolosale”.

Von der Leyen akuzoi gjithashtu Rusinë për përdorimin e furnizimeve me energji dhe sigurinë ushqimore si armë globale.

Ajo shtoi se vendet evropiane do të rrisin investimet ushtarake, por se BE-ja nuk do të jetë kurrë një aleancë ushtarake.

BE-ja ka dhënë dy miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe ka mobilizuar më shumë se katër miliardë euro në ndihmë dhe mbështetje makro-financiare dhe humanitare për vendet e BE-së që kanë pranuar refugjatë nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Gjithashtu miratoi pesë paketa sanksionesh kundër Rusisë, duke synuar individë, duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov. Gjithashtu vendosi një ndalim për eksportet e mallrave luksoze dhe importet e qymyrit dhe përjashtoi bankat ruse dhe bjelloruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Kategoritë
BotaLajme