Presidentja Osmani i ndan mirënjohje Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim për aksionin humanitar në Turqi

Në takim me vullnetarët e kësaj Shoqate, presidentja Osmani çmoi lart kontributin e tyre, duke potencuar se ata “kanë përfaqësuar denjësisht shpirtin solidar e human të të gjithë qytetarëve të Kosovës”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Shoqatën e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, të cilës ia ka ndarë një mirënjohje për kontributin vullnetar në operacionin humanitar në Türkiye, pas tërmetit shkatërrues që goditi një pjesë të territorit të saj më 6 shkurt, transmeton Anadolu.

Siç njoftoi Presidenca, në takim me vullnetarët e kësaj Shoqate, presidentja Osmani çmoi lart kontributin e tyre, duke potencuar se ata “kanë përfaqësuar denjësisht shpirtin solidar e human të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Në koordinim me Ambasadën e Türkiye-s në Kosovë, pjesëtarët e Shoqatës për Kërkim dhe Shpëtim, qëndruan në Hatay nga 9 shkurti duke marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit bashkë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në koordinim me autoritetet turke.

Gjashtë pjesëtarët e kësaj shoqate të cilët “përpos që kanë nxjerrë disa kufoma nga rrënojat, ka pasur rastin të asistojnë në shpëtimin e një vajze 26-vjeçare si dhe të shpëtojnë një vajzë 3-vjeçare”, u kthyen në Kosovë më 16 shkurt.

Kategoritë
LajmeVendi