Presidentja Osmani pranoi urime nga liderë botërorë për përvjetorin e pavarësisë

Mbreti Charles III ka uruar presidenten Osmani duke përmendur lidhjet e forta të Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar urime nga liderë të vendeve të ndryshme evropiane dhe të botës me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu.

Siç ka njoftuar Zyra e Presidentes së Kosovës, Mbreti Charles III ka uruar presidenten Osmani duke përmendur lidhjet e forta të Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën.

“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë. Kombet tona mund të bashkëpunojnë për të dhënë një ndikim pozitiv në ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore, të cilat na prekin të gjithëve globalisht”, thuhet në urimin e Mbretit Charles III.

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier në urimin e tij dërguar Osmanit ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e presidentit Steinmeier. Më tej, Steinmeier theksoi se Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron ka uruar presidenten kosovare duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës. “Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e presidentit Macron.

Me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë, presidentja Osmani mori letër urimi edhe nga homologu i saj italian, Sergio Mattarella, duke shprehur përkushtimin e Italisë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen për stabilitetin dhe integrimin evropian të Kosovës.

Në mesazhin e tij, presidenti Mattarella ka theksuar se të dy shtetet kanë fuqizuar miqësinë vazhdimisht gjatë viteve, falë edhe kontributit të palëkundur të Italisë për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës. “Republika e Italisë mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në urimin e presidentit Mattarella.

Osmani një ditë më herët pranoi letër urimi me rastin e pavarësisë edhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Kategoritë
LajmeVendi