Presidentja Osmani pritet nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë

“Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës”, ka thënë Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në audiencë private nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan të Italisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim për media të Presidencës, Osmani ka thënë se Papën e ka njoftuar me vendosmërinë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit kosovar “mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë”.

“Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi”, ka thënë Osmani.

Tutje presidentja kosovare ka theksuar se thellimi i mëtejmë raporteve të Kosovës me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientim i përbashkët, derisa ka shtuar se synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve shekullore midis dy vendeve.

Presidentja Osmani po qëndron për vizitë zyrtare në Vatikan së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla.

Presidentja Osmani në vizitën e saj pritet të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera.

Gjatë qëndrimit në Romë, presidentja Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej.

Kategoritë
BotaLajmeVendi