Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak

Presidentja Osmani ka ritheksuar se “Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon”

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, raporton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast presidentja Osmani ka ritheksuar se “Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon”.

Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Tutje, Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë për vizitë zyrtare për dy ditë me radhë në Prishtinë, ku ndër të tjera ai do të takohet sot edhe me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa të premten edhe me krerë të partive opozitare. Pas Prishtinës, Lajçak do të zhvillojë vizitë zyrtare edhe në Beograd.

Pas takimit të 27 shkurtit ndërmjet kryeministrit Ablin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ku palët u pajtuan të mos ketë diskutime të mëtutjeshme mbi propozimin evropian, të njohur edhe si plani franko-gjerman, dy përfaqësuesit e shteteve fqinje pritet të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kategoritë
LajmeVendi