Presidentja Osmani priti në takim senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters

Osmani tha se marrëdhënia në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm e rëndësishme, por është ekzisentenciale, dhe për ndërtimin e kësaj marrëdhënieje kanë luajtur rol historik të dy dhomat e Kongresit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në Presidencë në takim zyrtar senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po qëndrojnë për një vizitë njëjavore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu.

Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova është vendi më proamerikan në botë “dhe për këtë është krenare”.

Osmani tha se marrëdhënia në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm e rëndësishme, por është ekzisentenciale, dhe për ndërtimin e kësaj marrëdhënieje kanë luajtur rol historik të dy dhomat e Kongresit.

“Prandaj, në këtë kohë ku gjithë arkitektura e sigurisë së Evropës po sfidohet nga mendësia hegjemoniste e autokratike, Kosova nuk ka asnjë dyshim se ku qëndron dhe për çka punon. Kosova është gjithnjë në anën e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë, është në anën e vlerave të lirisë dhe demokracisë”, theksoi Osmani.

Ajo tha se në takim me dy senatorët ka shprehur nevojën për bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në por edhe sa i përket integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Tutje, Osmani, duke folur për çështjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se shpreson që Senati amerikan të jetë i qartë “kundër strukturave paralele që po terrorizojnë qytetarët serbë në veri”.

Senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters thanë se nuk është rastësi që po e fillojnë vizitën e tyre në Ballkanin Perëndimor me “partnerin e fuqishëm”, Kosovën.

Senatori Murphy tha se e mirëpresin marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi në Bruksel dhe aneksin e saj në Ohër, në të cilën përfshihet njohja e ndërsjellë.

“Mos u lajthitni, marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është e fuqishme dhe vetëm do të forcohet edhe më tej”, theksoi Murphy.

Senatori Peters tha se Kosova dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie speciale, derisa shtoi se si anëtar i komisionit për sigurinë kibernetike në Senat, do të ndihmojë që Kosova të ketë siguri më të madhe kibernetike.

Peters tha se ka shumë fusha ku SHBA-ja dhe Kosova mund të bashkëpunojnë.

“Jam anëtar i Komisionit për Shërbime të Armatosura, pra siguria kombëtare dhe e atdheut janë prioritet për mua dhe pjesë e diskutimit ishte që të vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë edhe me forcat e armatosura”, theksoi Peters, i cili tha se Kosova po mundohet “më shumë se që mundet” për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë.

Senatorët Murphy dhe Peters do të priten në takim sot edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Qeverinë e Kosovës, ndërsa përpos në Kosovë, ata do të vazhdojnë vizitat edhe në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
LajmeVendi