Presidentja Osmani takoi në Vjenë homologun austriak Van der Bellen

Osmani me homologun e saj austriak kanë diskutuar për partneritetin strategjik në mes të Kosovës dhe Austrisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim pune nga Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, në pallatin Hofburg në Vjenë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç ka njoftuar Zyra e Presidentit, Osmani me homologun e saj austriak kanë diskutuar për partneritetin strategjik në mes të Kosovës dhe Austrisë derisa presidentja kosovare e ka përgëzuar presidentin Van der Bellen për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit të Austrisë, duke thënë se mezi pret hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të dy shteteve gjatë mandatit të tij të dytë.

“Potencuam vendosmërinë e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe koordinimin, duke kontribuar bashkërisht për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë kohë kritike për Evropën”, theksoi Osmani.

Presidentja ka theksuar se Austria është partnere strategjike dhe aleate e popullit të Kosovës, duke e vlerësuar lart përkrahjen e saj për rrugën euroatlantike të Kosovës, përfundimin e procesit të liberalizimit dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës e në organizata të tjera ndërkombëtare.

Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe situatën aktuale të sigurisë në Evropë. Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Austrinë dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë për të kontribuar në mënyrë aktive për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Presidentja shtoi se është me rëndësi që vendet demokratike të vazhdojnë t’i bashkërendojnë veprimet konkrete në mbrojtje të paqes dhe sigurisë dhe vlerave demokratike, duke theksuar nevojën që të mos tolerohen satelitët e Rusisë dhe tendencat e tyre destabilizuese në rajon.

Në këtë drejtim, Osmani ka ritheksuar angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, të përqendruar në njohje reciproke, si dhe në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të Kosovës.

Më tej, Osmani nënvizoi faktin se Kosova dhe Austria janë të bashkuara në qëndrimin ndaj luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, dhe se njëkohësisht Kosova është 100 për qind e bashkërenduar me BE-në në vendimet që lidhen me politikën e jashtme.

Kategoritë
LajmeVendi