Osmani tha se populli i Kosovës dhe populli i Sirisë në luftën e tyre për të qenë të lirë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në margjinat e edicionit të katërt të Forumit Diplomatik në Antalya (ADF2025), transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani tha se populli i Kosovës dhe populli i Sirisë në luftën e tyre për të qenë të lirë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale.
“Sot, me presidentin e Sirisë së lirë, Ahmed al-Sharaa, kishim takimin tonë të parë për të hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen dhe sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani po merr pjesë në ADF2025 me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t’i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
ADF2025 është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.