Presidentja Osmani viziton Çarshinë e Shkupit

Osmani tha se është e nderuar që të marrë pjesë në emërtimin e një rruge me emrin e “presidentit historik” të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke shtuar se ky është një nder i madh për të gjithë popullin kosovar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në ditën e dytë të vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut ka vizituar Çarshinë e Shkupit ku është takuar me afaristë dhe qytetarë të cilët kishin dalë ta prisnin, raporton Anadolu.

Presidentja Osmani fillimisht mori pjesë në inaugurimin e një rruge në komunën e Çairit, e cila do të mbajë emrin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, diplomatë, anëtarë të familjes Rugova, duke përfshirë edhe vajzën e ish-presidentit, Teuta Rugova, si dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani tha se është e nderuar që të marrë pjesë në emërtimin e një rruge me emrin e “presidentit historik” të Kosovës, duke shtuar se ky është një nder i madh për të gjithë popullin kosovar.

“Çairi do të jetë përjetë i nderuar që po e përjetëson emrin e presidentit Rugova në këtë rrugë dhe padyshim që kjo tabelë me këtë emër është udhërrëfyese jo vetëm e rrugës, por edhe e veprës së presidentit Rugova. Janë rrugët ato që i lidhin njerëzit, qytetet dhe shtetet, ndaj kjo rrugë me këtë emër, jo vetëm që do ta lidh Çairin me pjesët tjera të këtij shteti, por do të jetë edhe motiv shtesë për qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë”, tha presidentja Osmani.

Fjalim kishte edhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili duke përshëndetur inaugurimin e rrugës Ibrahim Rugova, tha se ky “akt historik” paraqet nder dhe krenari për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për ata që jetojnë në Çair.

Pas kësaj, presidentja Osmani vijoi në një shëtitje të shkurtër në Çarshinë e Shkupit, e cila ishte stolisur edhe me flamuj të Kosovës.

Këtu, presidentja Osmani u prit nga afaristë dhe qytetarë të shumtë, të cilët madje i kishin përgatitur dhurata, ndërsa ajo gjithashtu u ndal dhe vizitoi disa dyqane të çarshisë.

Më pas, presidentja Osmani vendosi lule te shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si dhe te busti i Hasan Prishtinës, ndërsa në Sheshin Skënderbeu për presidenten Osmani u organizua një program i shkurtër me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare.

Presidentja Osmani vizitën dyditore në Maqedoninë e Veriut e filloi dje, kur u prit nga homologu maqedonas, Stevo Pendarovski, ndërsa u takua edhe me krerët tjerë shtetërore dhe mbajti fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Pasditen e sotme, Osmani udhëton në qytetin e Tetovës, ku do të pritet në takim nga kryetari i komunës, Bilall Kasami, pas çka gjatë vizitës së qytetit do të kalojnë edhe në Xhaminë e Larme.

Kategoritë
LajmeVendi