Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar sot komandantin e KFOR-it në Kosovë, Okzan Ulutas.
Pas këtij takimi, Osmani deklaroi se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Osmani tha se suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë, transmeton lajmi.net.
Presidentja ditë më parë është deklaruar në lidhje me hapjen e urës së Ibrit, ku ndër të tjerash theksoi se gjatë qëndrimit në SHBA nuk është thënë se Amerika është kundër hapjes së urës së Ibrit.
Në një konferencë për media gjatë vizitës në qytetin e Vitisë, ajo ka theksuar se përfaqësuesit amerikanë në bashkëbisedimet me të dëshirojnë që të bëhet një plan i përbashkët i zbatimit me institucionet kosovare për hapjen e urës në fjalë.
“Në takimet e mia me përfaqësues të ShBA-së asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së urës. Përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraparë hapjen e urës, por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë të ulemi bashkë, dhe i luten Kosovës që të ulemi bashkë”, ka thënë Osmani
“Kjo që institucionet e Kosovës te sigurisë dhe aleatët tanë të sigurisë të hartojmë bashkë planin e zbatimit, i cili i merr parasysh për bazë vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës, edhe të aleatëve tanë. Ju siguroj që në shumicën e rasteve ato janë identike sepse bashkëpunojnë, dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përzgjedhet momenti i volitshëm në mënyrë që çështja e hapjes së urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por sukses i përhershëm”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se i lutet qytetarëve të vendit që të punohet bashkë me ShBA-në dhe aleatët për hapjen e Urës së Ibrit.
“Në këtë situatë kur vërtetë në botë aleatët po merren me lloj lloj konflikte të tmerrshme, po e shohim edhe vet sa shumë vuajtje në botë këto konflikte po shkaktojnë, që të punojmë bashkë me njerëzit që gjithnjë kanë qenë në krahun tonë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”deklaroi ajo.
Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar edhe në lidhje me deklaratat e vazhdueshme të zëdhënësit të Bashkimit Evropian Peter Stano në lidhje me hapjen apo jo të urës së Ibrit.
Osmani tha se këto deklarata janë mbi të gjitha raciste e as nuk meritojnë më shumë vëmendje nga ana e saj.
“Jam deklaruar në raport me ato deklarata raciste.Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse zëdhënësi më duket se është nga Sllovakia që s’e pyet asnjë nga vendet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra s’ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Kosovës. Dialog për një temë të tillë s’do të duhej të pranonte askush. Është kundër kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës, por dialog me shpëtimtarët tanë, jo vetëm që është e nevojshme dhe e domosdoshme por është edhe e nevojshme”, tha Osmani.
Qeveria e Kosovës vazhdon të deklarohet pro hapjes së urës, derisa gjatë javës së kaluar janë bërë edhe matjet mbi urë të qëndrueshmërisë së saj si dhe janë bërë disa renovime sa i përket ngjyrosjes së mureve.
Por pavarësisht kësaj nga Qeveria nuk kanë dhënë datë për hapjen e saj, duke thënë se hapja e urës nuk është çështje e dialogut, por është çështje e mbyllur në vitin 2016./Lajmi.net/