Pretendohet se SHBA-ja paralajmëroi Izraelin për shkeljen e armëpushimit

“Izraeli shkeli marrëveshjen e armëpushimit, veçanërisht kthimin e dukshëm dhe të publikuar të mjeteve ajrore izraelite pa pilot në qiellin e Bejrutit”, thanë burimet në fjalë

Pretendohet se administrata amerikane ka paralajmëruar Izraelin për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Liban, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”, burime me njohuri për këtë çështje paralajmëruan Izraelin për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit. “Izraeli shkeli marrëveshjen e armëpushimit, veçanërisht kthimin e dukshëm dhe të publikuar të mjeteve ajrore izraelite pa pilot në qiellin e Bejrutit”, thanë burimet në fjalë.

Burimet thanë se “çdo palë duhet të jetë e moderuar” që armëpushimi të vazhdojë në Liban dhe se këshilltari i lartë i presidentit amerikan Joe Biden, Amos Hochstein i përcolli paralajmërimin e tij qeverisë së Tel Avivit se po shkelte armëpushimin.

Numri i shkeljeve nga ushtria izraelite, që rezultuan me vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 6 personave, është rritur në të paktën 73 që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit më 27 nëntor.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar në bisedën e tij telefonike me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot sot, pretendon se Izraeli nuk ka shkelur kushtet e armëpushimit.

Në lajmin e publikuar më parë në gazetën “Yedioth Ahronoth” thuhet se Franca paralajmëroi Izraelin të mos shkelte armëpushimin në Liban. Më tej thuhet se pala franceze ka informuar Izraelin se në Liban ka pasur 52 shkelje të armëpushimit në 24 orët e fundit dhe se 3 libanezë kanë humbur jetën.

Marrëveshja e armëpushimit e arritur mes Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi më 27 nëntor, në orën 04:00 sipas kohës lokale. Në nenin e dytë të marrëveshjes thuhet se “Izraeli nuk do të kryejë asnjë sulm ushtarak ndaj objektivave civile, ushtarake apo shtetërore në Liban nga toka, deti apo ajri”.

Kategoritë
BotaLajme