Ish-shefi i shërbimeve të inteligjencës saudite dhe ambasadori në SHBA, Turki Al Faisal, i ka dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump, duke e njohur atë me faktet që lidhen me palestinezët. Letra është publikuar në gazetën The National.
“I dashur president Trump, palestinezët nuk janë emigrantë të paligjshëm që duhen dëbuar në vende të tjera. Ajo tokë është toka e tyre, ndërsa shtëpitë që Izraeli ka shkatërruar janë shtëpitë e tyre dhe ata do t’i rindërtojnë ato, ashtu siç kanë bërë pas sulmeve të mëparshme izraelite. Shumica e njerëzve në Gaza janë refugjatë, të dëbuar nga shtëpitë e tyre në territoret që sot janë Izraeli dhe Bregu Perëndimor, gjatë sulmeve gjenocidale të Izraelit në vitet 1948 dhe 1967. Nëse ata duhet të zhvendosen nga Gaza, duhet t’u lejohet të kthehen në shtëpitë dhe plantacionet e tyre të portokalleve dhe ullinjve në Haifa, Jaffa dhe qytetet e fshatrat e tjera nga ku janë larguar ose janë dëbuar me forcë nga izraelitët,” shkruhet në letër.
Më tej në letër theksohet se shumë nga dhjetëra mijëra emigrantët që erdhën në Palestinë nga Evropa dhe vende të tjera pas Luftës së Dytë Botërore, kanë uzurpuar shtëpitë dhe tokën palestineze, kanë terrorizuar banorët vendas dhe kanë marrë pjesë në një fushatë të spastrimit etnik.
“Për fat të keq, Amerika dhe Mbretëria e Bashkuar, fitueset e Luftës së Dytë Botërore, qëndruan në heshtje dhe madje lehtësuan dëbimet vdekjeprurëse të palestinezëve nga shtëpitë dhe toka e tyre. Amerika dhe Britania nuk pranuan të strehojnë viktimat e Holokaustit të Hitlerit, kështu që u mjaftuan duke i dërguar ato në Palestinë. Në librin Tetë ditë në Jaltë, autorja Diana Preston përmend një bisedë mes presidentit amerikan të atëhershëm Franklin D. Roosevelt dhe kolegut të tij rus, Josif Stalin. Preston shkruan: ‘Biseda u përqendrua te çështja e një atdheu për hebrenjtë. Roosevelt tha se ai ishte cionist… Kur Stalini e pyeti se çfarë dhurate planifikonte t’i jepte [mbretit saudit] Ibn Saud, ai u përgjigj se kompromisi i vetëm që mund të bënte ishte t’i jepte gjashtë milionë hebrenj…'” thuhet në letër.
Më tej, në letër përmendet se, për fat të mirë, kur Roosevelt u takua me Ibn Saudin, mbreti e bindi atë të heqë dorë nga kjo ofertë dhe sugjeroi që hebrenjve t’u jepej toka më e mirë në Gjermani si kompensim për Holokaustin.
“Fatkeqësisht, Harry Truman, pasardhësi i Rooseveltit, mbështeti fuqimisht emigracionin hebraik në Palestinë dhe në fund u bë vendimtar në krijimin e Izraelit. Dhuna dhe gjakderdhja që po shohim sot janë rezultat i kësaj veprimi dhe bashkëpunimit të mëparshëm britanik me ambiciet cioniste nga viti 1917 e deri në atë kohë.
Zoti president, qëllimi juaj i deklaruar për të sjellë paqe në Palestinë është pritur me shumë mirësi në rajonin tonë. Me respektin e duhur, sugjeroj që mënyra për ta arritur këtë është t’u jepet palestinezëve e drejta e tyre e patjetërsueshme për vetëvendosje dhe një shtet me kryeqytet në Jerusalemin Lindor, siç është parashikuar në Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së 181 dhe 194, Rezolutat e Këshillit të Sigurimit 242 dhe 338, si dhe në Iniciativën Arabe të Paqes,” shkruan princi Al Faisal.
Ai thekson se të gjitha vendet arabe dhe islame, si dhe Autoriteti Palestinez, e pranojnë Iniciativën Arabe të Paqes për përfundimin e armiqësive dhe vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin.
“Njëqind e dyzet e nëntë vende e njohin shtetin palestinez. Ju lutemi që vendi juaj të bëhet i 150-ti. Asnjë paqe në Lindjen e Mesme nuk do të arrihet pa zgjidhjen e kësaj çështjeje fisnike në mënyrë të drejtë dhe të ndershme. Bëhuni i paharrueshëm si një ndërtues paqeje,” përfundon letra.
Princi Turki Al Faisal është një veteran i diplomacisë ndërkombëtare dhe një figurë kyçe që ndihmoi në krijimin e kontakteve mes mbretit Fahd dhe presidentit Alija Izetbegoviç, gjë që mundësoi mbështetje diplomatike vendimtare për Bosnjën dhe Hercegovinën në momentin më të vështirë të historisë së saj moderne.
Për rolin e princit Turki gjatë agresionit në Bosnje dhe Hercegovinë, Mirnes Kovaç ka shkruar në librin “Mbretërit dhe presidentët: Diplomacia saudito-amerikane dhe shpëtimi i Bosnjës dhe Hercegovinës”.