Prishtinë, fillon Kupa e Botës në Hendboll për Sportin Universitar “Prishtinë 2022”

Në këto gara po merr pjesë edhe një ekip nga Türkiye, përkatësisht studentët e Universitetit Gazi (Gazi University)

Ka filluar në Prishtinë zyrtarisht kampionati për Kupën e Botës në Hendboll për Sportin Universitar “Prishtina 2022”.

Kjo ngjarje sportive zhvillohet për herë të parë në Kosovë.

Organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve Universitare (FISU) dhe Federata e Sporteve Universitare të Kosovës (FSUNK), manifestimi mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Komitetit Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë kampionat janë 14 ekipe nga universitete të vendeve të ndryshme të botës, të cilat do të garojnë për vendin e parë në hendbollin universitar.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i uroi mirëseardhje të gjithë sportistëve nga universitetet e ndryshme të botës, duke e deklaruar zyrtarisht këtë kampionat si të hapur.

“Mirësevini në Kosovë dhe ju uroj një javë sportive dhe të këndshme në kryeqytetin tonë. Uroj që në këto ndeshje që do t’i ndjekim bashkë të kalojmë qaste sa më të mira”, theksoi Çeku.

Gabirel Kotchofa, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Sportit Universitar (FISU), tha se sporti dhe miqësia e bëjnë jetën më kualitative dhe një botë më të mirë.

“Si përfaqësues nga Afrika, po qëndroj këtu, në Ballkan, ju ftoj juve që të bëheni pjesë e gjeneratës së re, kulture të re, horizontit të ri të botës. Jemi bashkë në sport dhe ne jemi kampionë”, tha ai, duke falënderuar Kosovën për mikpritjen e kësaj gare.

Në këto gara po merr pjesë edhe një ekip nga Türkiye, përkatësisht studentët e Universitetit Gazi (Gazi University).

Te hendbollistët kosovarë ekipi i Universitetit të Prishtinës (UP) është në grupin A së bashku me universitetet nga Spanja, Portugalia dhe Shqipëria, ndërsa tek kategoria e vajzave, UP-ja është në një grup me ekipet e Spanjës dhe Kroacisë.

Ndeshjet e Kupës Botërore Universitare në Hendboll zhvillohen në palestrën 1 Tetori dhe në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Gara do të zgjasë deri më 17 korrik.

Kategoritë
Sport