Prishtinë, hapet ekspozitë me piktura të Rexhep Selimit gjatë qëndrimit në paraburgim në Gjykatën Speciale

Ekspozita me pikturat e Rexhep Selimit në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë do të jetë e hapur deri më 4 dhjetor 2022.

Është hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës ekspozita me piktura të bëra gjatë mbajtjes së paraburgimit në Gjykatën Speciale në Hagë nga ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, raporton Anadolu Agency (AA).

250 piktura të bëra derisa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i bëri gjatë qëndrimit në Hagë, ku po vazhdon të mbahet në paraburgim, Selimi i ka përmbledhur me emrin e ekspozitës “Në garë me botën gri”.

Rexhep Selimi i ka përfunduar këto piktura për një periudhë katërvjeçare.

Në ekspozitën e atij që njihet edhe si “10-shi i UÇK-së”, morën pjesë krerë të institucioneve të shtetit, deputetë, bashkëluftëtarë të Rexhep Selimit, zyrtarë shtetërorë, anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje e qytetarë.

Në librin e ekspozitës “Në garë me botën gri”, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shkruar se Rexhep Selimi e ka bërë pikturën e parë në vitin 2016, bukuria e së cilës e kishte tronditur atë kur e kishte parë.

“Rexha po na mungon, por ai ka vendosur të jetë i pranishëm me ne përmes pikturës. Por nuk është piktura ajo që Rexhën e ka bërë artist. Ai ka shkruar poezi të bukura të cilat madje janë bërë edhe këngë të njohura. Bile piktura nuk është ajo që do ta mbyllë ciklin artistik të Rexhës. Kjo veç sa më ka bindur se së shpejti Rexha do ta zbulojë artin e radhës”, ka shkruar Konjufca.

Ekspozita me pikturat e Rexhep Selimit në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë do të jetë e hapur deri më 4 dhjetor 2022.

Rexhep Selimi është arrestuar në nëntor të vitit 2020 dhe po mbahet ende në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ai dhe tre ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi po gjykohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kategoritë
Kulturë