Prishtinë, mbahet kongres për turqit dhe turqishten në Ballkan

Nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik tha se gjuha si një element komunikimi është bartësi më i madh i kontakteve dhe nga turqishtja në gjuhët e Ballkanit kanë kaluar shumë fjalë dhe anasjelltas

Nën organizimin e Universitetit të Prishtinës (UP), Fakulteti Filologjik, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke dhe me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) është organizuar në Prishtinë “Kongresi për Turqit dhe Turqishtja në Ballkan”, raporton Anadolu.

Në sallën e konferencave të Fakultetit Filologjik morën pjesë ambasadori i Republikës së Türkiye-s në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, përfaqësues politikë të komunitetit turk në Kosovë, përfaqësues të UP-së, profesorë universitarë, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik falënderoi institucionet kosovare për mundësinë e veprimit të TIKA-s për 19 vjet me radhë në Kosovë.

Çevik tha se gjuha si një element komunikimi është bartësi më i madh i kontakteve, duke theksuar se nga turqishtja në gjuhët e Ballkanit kanë kaluar shumë fjalë dhe nga gjuhët e vendeve të Ballkanit po ashtu kanë kaluar fjalë në gjuhën turke.

“Elementet kulturore të trashëguara brez pas brezi, vlerat kulturore ekzistuese tregojnë se sa të afërta janë marrëdhëniet e ngushta të Türkiye-s me vendet e Ballkanit. Kur shikojmë veprat arkitekturore në Ballkan, shohim se turqit janë treguesi më i rëndësishëm i shoqërisë turke që jeton në këtë gjeografi. Dua të theksoj se muzika turke është një urë lidhëse shumë e rëndësishme estetike në komunikimin mes Ballkanit dhe Türkiye-s. Sot ky komunikim vazhdon të jetë ende i gjallë”, theksoi Çevik.

Çevik tha se Türkiye ka shumë personalitete që kanë qëndruar dhe janë zhvilluar në Ballkan duke kontribuuar në letërsinë turke në periudha të ndryshme.

Prodekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Memishi, tha se studimet e gjuhës turke në Kosovë kanë një traditë të madhe.

Memishi tha se studimet e turqishtes në UP janë nga themelimi i Universitetit dhe janë përkrahur dhe mbështetur nga personalitetet më të njohura të turkologjisë.

“Studimi i turqishtes tek shqiptarët nuk do të thotë se ne vetëm studiojmë gjuhën turke por në të njëjtën kohë studiojmë të kaluarën tonë pesë-shekullore. Prandaj, ne do të vazhdojmë të mbështesim gjitha studimet qoftë në Departamentin e Gjuhës Turke qoftë në Orientalistikë si fakultet dhe si universitet që këto studime të thellohen edhe më tepër që ta njohim atë periudhë pesë-shekullore në mënyrë objektive, pa ngjyrime politike siç ka ndodhur deri para shekullit 20-të”, theksoi Memishi.

Ambasadori i Republikës së Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se bota turke është më e madhe se sa Türkiye gjeografike.

Angılı para të pranishmëve bëri një përmbledhje të jetës së tij profesionale dhe personale për gjurmët e turqve që ka parë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Dua ta falënderoj TIKA-n dhe nënkryetarin e saj për punët e kryera në Kosovë, sepse ku do që kam shkuar në territorin e Kosovës i kam parë punët e kryera nga TIKA”, theksoi Angılı.

Kongresi për “Turqit dhe Turqishtja në Ballkan” do të zhvillohet për tre ditë me radhë dhe po shënohet me rastin e 35 vjetorit të Degës së Turkologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Kategoritë
LajmeVendi