Prishtinë, përurohet restaurimi i Sahat Kullës

Komuna e Prishtinës ka kontribuuar në restaurimin e këtij monumenti me 70 mijë euro dhe BE me 40 mijë euro, ndërsa menaxhimi është bërë nga UNDP.

Në Prishtinë është përuruar restaurimi i njërit prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit, Sahat Kulla, raporton Anadolu Agency (AA).

Restaurimi i cili është bërë nga Komuna e Prishtinës me ndihmë nga Bashkimi Evropian (BE) dhe në menaxhim nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), ka zgjatur për rreth katër muaj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se Sahat Kulla është një nga monumentet më të bukura të zonës së vjetër të kryeqytetit.

“Ne e çmojmë trashëgiminë kulturore dhe ne e çmojmë historinë tonë dhe kjo është jo vetëm për qytetarët e Prishtinës, por edhe gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe gjithë vizitorët që vijnë dhe kuptojnë më shumë për kulturën, traditën dhe historinë tonë”, theksoi Rama.

Zv/shefi i UNDP-së në Kosovë, Niels Knudsen, tha se me rehabilitimin e këtij monumenti e kanë shfrytëzuar edhe sjelljen e studentëve të arkitekturës për ta përcjellë nga afër rehabilitimin e tij.

“Ndihemi me fat që jemi pjesë e restaurimit dhe kthimit në jetë të këtij monumenti gjithashtu edhe pjesë e planeve tjera për restaurimin e këtyre monumenteve historike dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e së ardhmes së Prishtinës”, theksoi Knudsen.

Komuna e Prishtinës ka kontribuuar në restaurimin e këtij monumenti me 70 mijë euro dhe BE me 40 mijë euro, ndërsa menaxhimi është bërë nga UNDP.

Sahat Kulla u ndërtua në shekullin e XIX gjatë periudhës osmane.

Zakonisht çdo qytet në periudhën osmane kishte nevojë për një Sahat Kullë në mënyrë që besimtarët të dinin kohën për të shkuar në xhami dhe kohën kur dyqanet do të hapeshin dhe mbylleshin.

Kategoritë
LajmeVendi