Prishtinë, presidentja Osmani priti në takim homologun slloven Pahor

Presidentja Osmani falënderoi Slloveninë për kontributin e saj në liberalizimin e vizave, derisa kërkoi nga Sllovenia që t’i jepë “një shtytje të fundit” këtij procesi në mënyrë që qytetarët kosovarë të kenë mundësi të vizitojnë gjithë Evropën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja Osmani në fjalën e saj pas pritjes dhe takimit në Prishtinë me Pahor, tha se Kosova ka besim të plotë se Sllovenia do të mbetet zëri i saj në strukturat ku nuk është e pranishme.

Presidentja kosovare tha se derisa Kosova po i afrohet vendimit të gjatë dhe të padrejtë të finalizimit të liberalizimit të vizave, falënderoi Slloveninë për kontributin e saj në këtë proces, derisa kërkoi nga Sllovenia që t’i jepë “një shtytje të fundit” këtij procesi në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të vizitojnë gjithë Evropën.

Duke folur për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Osmani tha se për 12 vite të dialogut Kosovë-Serbi, Serbia ka një listë të gjatë të marrëveshjeve të cilat nuk i ka implementuar.

“Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar obligimin që t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale-kriminale që ka ndërtuar në Kosovë. Ajo jo vetëm që nuk i ka zhbërë strukturat ilegale, udhëheqësit e të cilave janë në listat e zeza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por, përkundrazi, vazhdon t’i fuqizojë ato, vazhdon t’i financojë ato, vazhdon t’i urdhërojë ato ta destabilizojnë Kosovën por edhe tërë rajonin”, theksoi Osmani.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha se po i viziton vendet e Ballkanit Perëndimor për forcimin e paqes në rajon. Ai tha se me presidenten Osmani kanë shumë qëndrime të njëjta, ndërsa ndajnë mendime ndryshe mbi implementimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Pahor tha se po përgatit liderët për konferencën e Brdo Brijunit ku përpos paqes në rajon dhe Evropë, do të diskutohen edhe problemet ekonomike, me theks të veçantë kriza energjetike dhe krizat sociale si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Ulja e besimit të drejtuesve në rajon është diçka që për momentin duhet të na brengosë seriozisht. Në këto 11 vite unë kam parë ngritje të kësaj inciative, kurse tani unë shoh një situatë ku shumë drejtues e shprehin atë çfarë na ndan. Gjithmonë perspektiva e këtij rajoni kam menduar se varet tek ajo çfarë na bashkon dhe jo ajo çfarë na ndan”, theksoi Pahor.

Pahor tha se shumë shpesh përmendet ngecja midis Prishtinës dhe Beogradit, megjithëse ai tha se i është gëzuar një rezultati të pjesshëm të arritur së fundmi midis palëve në Bruksel.

Pahor ftoi palët që t’i zgjidhin çështjet e mbetura me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Vizita e presidentit slloven Pahor në Kosovë vjen në kuadër të përgatitjeve për samitin e 11-të të procesit Brdo-Brijuni, i cili do të mbahet më 12 shtator, në Brdo, pranë Kranjës.​​​​​​​

Kategoritë
LajmeVendi