Problemet në faqen e KQZ në ditën e zgjedhjeve, DnV: Krijuan konfuzion dhe ulën besimin e publikut

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka publikuar deklaratën preliminare nga procesi i zgjedhjeve të 9 shkurtit për Parlamentin e Kosovës.

Në konferencën për media, Eugen Cakolli ka DnV ka paraqitur të gjeturat kryesore.

Për problemet teknike në faqen e KQZ, kjo organizatë thotë se këto probleme krijuan konfuzion dhe ulën besimin e publikut

Më poshtë raportimi i “Demokracisë në Veprim”.

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit u zhvilluan në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të drejta. Administrimi i operacioneve zgjedhore ishte përgjithësisht i rregullt, përjashtuar procesin e publikimit të rezultateve dhe numërimit të votave për kandidatët;

Procesi i votimit dhe numërimit gjatë ditës së zgjedhjeve, është zhvilluar përgjithësisht në një atmosferë të qetë dhe demokratike, i karakterizuar nga një interesim relativisht të lartë të votuesve për të marrë pjesë në zgjedhje. Megjithatë, procesi i votimit është shoqëruar me disa parregullsi dhe shkelje, kryesisht të natyrës procedurale. Nuk është raportuar për incidente serioze gjatë votimit që do të mund të cenonin integritetin e zgjedhjeve;

Problemet teknike me sistemin elektronik të publikimit të rezultateve të KQZ-së, të shfaqura vetëm disa orë pas përfundimit të votimit, krijuan konfuzion dhe ulën besimin e publikut në transparencën e procesit. Kjo situatë la një impakt negativ në perceptimin për organizimin zgjedhor

Është për t’u përshëndetur qasja vetpërmbajtëse e subjekteve politike kryesore, që pas përfundimit të votimit, përkundër problemeve me sistemin elektronik të publikimit të rezultateve, i kanë njohur dhe pranuar në mënyrë të qetë rezultatet preliminare të zgjedhjeve për subjektet politike;

Numërimi i votave për kandidatët në Qendrat Komunale të Numërimit nuk ka nisur ende për shkak të problemeve teknike, ndonëse ligjërisht parashihet që duhet të fillonte në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm. Këto vonesa mund të kenë ndikim negativ në integritetin e procesit dhe të shkaktojnë shtyrje në certifikimin e rezultateve;

Fushata zgjedhore për këto zgjedhje ishte e para me një kohëzgjatje të plotë prej 30 ditësh, duke sjellë një ritëm  të lartë të aktiviteteve zgjedhore dhe një angazhim të shtuar të subjekteve politike në terren dhe në hapësirën digjitale – në të cilën, për këtë fushatë 30 ditore, është shënuar shifër rekord e shpenzimeve prej 200 mijë eurosh nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre;

Mungesa e rregullimit ligjor për aktivitetet e parafushatës zgjedhore krijoi një hapësirë të pakufizuar për angazhim paraelektoral të partive politike në Kosovë, duke krijuar edhe mundësinë për shmangie të raportimeve financiare dhe sanksioneve gjatë kësaj periudhe;

Fushata zgjedhore ishte dinamike, atraktive dhe programore. Ndërsa, diskursi politik gjatë fushatës ishte i ashpër, veçanërisht nga partia në pushtet, çka rezultoi në një numër rekord të gjobave të shqiptuara nga PZAP-ja, me një vlerë të përgjithshme mbi 600 mijë euro;

Votimi jashtë vendit ishte operacioni më i prekur nga ndryshimet e fundit ligjore, duke i zgjeruar mundësitë e votimit për qytetarët në diasporë edhe fizikisht në misione diplomatike, por edhe me postë në fahet postare jashtë vendit. Interesimi i qytetarëve jashtë vendit për të votuar ishte i lartë, me mbi 100 mijë votues të regjistruar për të votuar;

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i zarfeve me fletëvotime të pranuara nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe të konfirmuara nga shërbimi postar deri më 7 shkurt ishte 50,226, ndërsa në Kosovë kanë arritur 40,859 prej tyre;

Votimi jashtë vendit u karakterizua me ndërhyrje politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në pothuajse të gjitha fazat e tij. Dështimet dhe problemet me transportimin e votave, kanë ngritur dyshime lidhur me sigurinë dhe integritetin e këtij procesi;

Procesi vendimmarrës i trupave menaxhuese zgjedhore ishte përgjithësisht konsensual, ndonëse për disa çështje të ndjeshme pati përplasje mes anëtarëve, sidomos ndërmjet përfaqësuesve të partisë në pushtet dhe të tjerëve;

Edhe pse këto zgjedhje ishin të rregullta sa i përket kalendarit kohor, duke i dhënë KQZ-së më shumë kohë për planifikim dhe ekzekutim, janë shënuar vonesa në disa procese kyçe, përfshirë miratimin e përbërjes së komisioneve komunale zgjedhore, krijimin e qendrave komunale të numërimit dhe publikimin e qendrave të votimit jashtë vendit;

Një nga sfidat teknike kryesore të këtyre zgjedhjeve ishte çështja e ngjyrës matrikuluese. Procesi i tenderimit për këtë material u shoqërua me vonesa dhe probleme cilësore, të cilat rezultuan me raportime për fshirje të lehtë të saj nga gishtat e votuesve. Për më tepër, vetë përdorimi i matrikulimit si metodë për shënimin e votuesve u kritikua nga organizatat e shoqërisë civile dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi, të cilat e konsideruan atë si shkelje të fshehtësisë së votës;

Gjatë organizimit të zgjedhjeve, KQZ mori disa vendime që u kritikuan për cenimin e fshehtësisë së votës. Një prej tyre ishte vendosja e kabinave të votimit në pozita ballore, e cila u konsiderua problematike pasi rrezikonte ekspozimin e preferencave të votuesve. Ky vendim u ndryshua pas presionit nga shoqëria civile. Për të rritur transparencën dhe parandalimin e manipulimeve, KQZ vendosi të shfrytëzojë kamera në vendvotime për regjistrimin e procesit zgjedhor;

Gjatë fushatës zgjedhore, peizazhi mediatik ishte i polarizuar, duke u karakterizuar nga dy zhvillime kryesore: partia në pushtet mbajti një qasje vazhdimisht konfrontuese ndaj gazetarëve, ndërsa disa media u perceptuan si të njëanshme në mbulimin dhe raportimet e tyre;

Në këto zgjedhje, aplikuan për certifikim 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë. Në përgjithësi, KQZ miratoi aplikacionet e të gjitha subjekteve, me përjashtim të Listës Serbe, vendimi për të cilën shkaktoi debat të gjerë dhe ngriti shqetësime mbi qasjen e barabartë në garën zgjedhore. Në këtë rast, kundërligjshëm refuzoi certifikimin e saj, pavarësisht rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike. Më vonë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme vendosën për certifikimin e këtij subjekti, duke e korrigjuar vendimin fillestar të KQZ-së, duke shfaqur dominimin e konsideratave politike mbi parimet ligjore në disa aspekte të administrimit të zgjedhjeve;

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 u monitoruan nga një numër i konsiderueshëm vëzhguesish, duke përfshirë përfaqësues të partive politike, organizatave të shoqërisë civile, misioneve ndërkombëtare dhe mediave. Në total, mbi 20,000 vëzhgues u akredituan për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet.

Kategoritë
LajmeVendi