Projekti i banesave për çifte të reja, deri tani vetëm komuna e Pejës e ka siguruar një parcelë

Gjatë fushatës, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar banim të përballueshëm për katër mijë familje gjatë mandatit të tij. Ai sot bëri të ditur se deri tani vetëm komuna e Pejës e ka siguruar një parcelë të mjaftueshme për këtë projekt.

Duke iu përgjigjur pyetjes të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, Kurti tha se është realizuar një studim i cili është çështje ditësh, pasi pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

“Në këtë drejtim, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar marrëveshje me International Financial Corporation për realizimin e një studimi se si të zbatohet ky projekt në mënyrën më të mirë të mundshme. Pritet që ky studim të përfundojë deri në fund të këtij viti, pra çështje ditësh. Dhe IFC të na dërgojë neve të gjeturat. Ky studim i ka disa komponente ku ndër të tjerash duhet të bëhet edhe një analizë e përfituesve potencial, analizë e gjendjes së banimit në Kosovë, analizë e ligjeve në Kosovë që lidhen me projekt si dhe modelet më të përshtatshme për ta realizuar këtë projekt”, deklaroi Kurti.

Tutje, ai shtoi se për realizimin e këtij projekti janë zgjedhur pesë komuna – Prishtina, Prizreni, Gjilani, Peja dhe Mitrovica, prej të cilave është kërkuar që të dërgojnë tokën komunale në dispozicion, si dhe të dhënat përkatëse të vlerësimit të përgjithshëm të tregut të banesave të përballueshme në Kosovë.

Kreu i Ekzekutivit potencoi se është gjetur një zgjidhje praktike për të vazhduar me projektin, i cili mund të zhvillohet në bazë të ligjeve ekzistuese në fuqi, me ç’rast analiza dhe modeli financiar janë në fazën e fundit dhe do të përfundohen brenda disa ditëve.

Kryeministri Kurti gjatë fushatës kishte premtuar banim të përballueshëm për 4 mijë familje gjatë mandatit të tij. Kurti ka thënë se janë dy skema që do t’ua mundësojnë familjeve përfituese të bëhen me banesa. Njëra është për familjet që mund të paguajnë këste nga 120 euro për 120 muaj dhe tjetra për 150 euro për maksimalisht 150 muaj.

Kategoritë
LajmeVendi