Projekti i ri muzikor, Kape Ritmin, ka tërhequr vëmendjen e shumë të rinjve dhe komunitetit artistik në qytetin e Prizrenit, shkruan Gazeta e Re
Nën udhëheqjen e Tolga Kazaz, ky projekt ka për qëllim të promovojë dhe të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet talentëve të rinj të moshave 15-18 vjeçare përmes një koncerti të veçantë pop-rock, ku përmes këtij projekti Kazaz synon të nxjerrë në pah talentet e reja dhe t’i motivojë ata për të vazhduar rrugën e tyre artistike
‘’Në kuadër të projektit, me të rinjtë jemi duke punuar së bashku, të cilët po ndajnë idetë dhe po krijojnë muzikë të reflektuar në ndjenjat dhe eksperiencat e tyre. Ky bashkëpunim i ndërsjellë jo vetëm që forcon lidhjet mes tyre, por gjithashtu u ofron një mundësi unike për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre muzikore’’ tha Kazaz.
Ai beson se të rinjtë kanë potencial të madh dhe se me mbështetjen dhe udhëzimet e duhura, ata mund të arrijnë rezultate të jashtëzakonshme.
“Ne synojmë të krijojmë një ambient ku çdo i ri të ndihet i lirë të eksperimentojë dhe të zhvillojë talentin e tij duke u dhënë mundësinë të performojnë në një skenë profesionale, pasi që besojmë se kanë një potencial të madh ne i ndihmojmë ata të ndërtojnë vetëbesimin e tyre dhe të shohin potencialin e tyre të vërtetë. Besoj se përmes këtij projekti, jo vetëm që do të shohim performanca të shkëlqyera, por gjithashtu do të frymëzojmë një brez të ri artistësh që do të ndikojnë pozitivisht në komunitetin tonë” tha ai.
Koncerti pop-rock do të mbahet më 1 korrik në hapësirën e Kejit në Prizreni duke filluar nga ora 20:00, ku pritet të jetë një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet kur talentët marrin mbështetjen e duhur./Gazetaere