Prokurori Maloku për 15 kamerat e konfiskuara në Shtërpcë: Informacionet përcilleshin në Serbi

Prokuroria Themelore e Ferizajt në koordinim me Policinë sot kanë zhvilluar një aksion në komunën e Shtërpcës ku janë konfiskuar 15 kamera të sigurisë të cilat ishin vendosur në pjesë publike nga ana e strukturave ilegale.

Prokurori i rastit Rasim Maloku, tha se ka informacione të bazuara se pamjet e kamerave përcilleshin tek organet e sigurisë në Serbi.

“Aksioni ka filluar gjatë muajit mars. Atëherë është mbyllur objekti i komunës së strukturave ilegale dhe janë siguruar disa pajisje elektronike. Ne e kemi bërë një ekzaminim ndaj tyre dhe kemi vërejtur që ka informacione të cilat kanë krijuar një dyshim të bazuar se ato përcillen për në Republikën e Serbisë tek institucionet e sigurisë” – tha Maloku.

“Gjithashtu kemi pasur informacione që edhe kamerat e sigurisë që janë të vendosura në vendet publike në komunën e Shtërpcës, monitorohen nga strukturat ilegale dhe pastaj përcillen tek organet e sigurisë në shtetin e Serbisë”.

Prokurori i rastit theksoi se deri më tani në këtë aksion nuk ka ndonjë person të arrestuar.

Kategoritë
LajmeVendi