Prokuroria kërkon nga Apeli rigjykim ndaj ministres Haxhiu e të tjerëve, lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

Në Gjykatën e Apelit, të enjten është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë në rastin ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish-deputeteve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, të cilët akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 qershor 2021, ka parashtruar ankesë në Apel për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria ka kërkuar që të aprovohet si e bazuar ankesa, aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe në rivendosje.

Ndaj kësaj ankese, ka pasur përgjigje në ankesë nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Lekaj (i cili nuk ishte i pranishëm në seancë), avokati Arianit Koci, i cili ndër të tjera tha se ky është një rast specifik duke theksuar që nuk ka ndonjë rast në botë kur kaq shumë deputetë janë akuzuar për qëndrime politike.

Tutje avokati Koci tha se, nëse e analizojmë ankesën e prokurorisë shohim citime shabllon të dispozitave ligjore që nuk kishin kuptim që të bëhen nga ana e prokurorisë. Po ashtu, i njëjti tha që prokuroria kishte si argument raportimin e mediave lidhur me bombolën e gazit.

Sipas avokatit Koci, nuk kishte asnjë provë që vërtetonte fajësinë e të mbrojturit të tij dhe i njëjti i propozoi gjykatës të refuzojnë ankesën e prokurorisë dhe të vërtetojnë aktgjykimin e shkallës së parë.

Para trupit gjykues me përbërje nga Xhevdet Abazi (kryetar), Ferit Osmani (anëtar) dhe Tomislav Petroviq (gjykatës referues), Baftiu deklaroi se ndihej e pafajshme, dhe e njëjta theksoi që aktgjykimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe se prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme të vërtetonte fajësinë e tyre dhe se tash mbetet në dorë të gjykatës së Apelit të vendosin.

Ndërsa, Haxhiu propozoi që Apeli ta refuzojë ankesën e prokurorisë, duke thënë se, fakti që prokurori nuk ishte i pranishëm tregon shumë për seriozitetin e kësaj çështje.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ishte e pranishme as e akuzuara Kadaj- Bujupi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzoheshin se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Kategoritë
LajmeVendi