Friedkin Group, kompania që zotëron Romën, ka arritur një marrëveshje për blerjen e Evertonit.
Sky Sport Italia raporton se Ryan Friedkin, djali i Dan Friedkin, tani do të kujdeset më shumë për “Ujkonjën” dhe se familja nuk ka ndërmend të shesë klubin roman.
Friedkin Group dhe Everton sot publikuan një deklaratë të përbashkët, duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes për marrjen e klubit.
Në raportet e mëparshme thuhej se pronari i Romës do të investojë rreth 500 milionë euro në blerjen e klubit të Premier Ligës angleze, por kjo nuk do të thotë shitja e Romës.
Megjithatë, familja Friedkin është nën presion në Itali pas shkarkimit të legjendës së klubit Daniele De Rossi pas katër ndeshjeve të këtij sezoni. Ish-mesfushori i Romës papritur humbi punën e trajnerit të klubit të Olimpicos, gjë që shkaktoi protesta në rrjetet sociale dhe në rrugë.
Drejtoresha e Romës, Lina Souloukou, mori mbrojtje policore dhe dha dorëheqjen të dielën, disa orë para ndeshjes me Udinesen.
Roma fitoi me rezultatin 3:0 nën drejtimin e trajnerit të ri Ivan Jurić, por tifozët vazhdojnë protestat dhe kanë një qëndrim negativ ndaj disa lojtarëve, duke përfshirë Lorenzo Pellegrinin.